Konfiskohen dhe asgjësohen mall në vlerë prej 7 mijë eurove

Dogana e Kosovës ka bërë asgjësimin e mallit të falsifikuar në vlerë afër 7 mijë euro, i cili ishte tekstil, ora dore, si dhe disa logo të markave të njohura, ndërsa zyrtarët e Doganave të Kosovës deklarojnë që ky mall paraqet shkelje të drejtës së autorit dhe për atë është konfiskuar dhe asgjësuar.
Në bartjen e këtij mallit kanë qenë persona fizik dhe në momentin e ndaljes së mallit të tyre, kanë pranuar fajësinë dhe pas dhënies së deklaratave janë liruar.
Ardian Jashari, udhëheqës i degës së Doganës në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ka thënë se këto produkte të cilat janë asgjësuar, paraqesin shkelje të drejtës së autorit dhe për atë janë shkatërruar në bazë të ligjit.
“Secila nga këto pajisje që janë asgjësuar, ka pas shkelje të drejtës së autorit. Kompanitë që janë të autorizuara për mbrojtjen e të drejtës së autorit, rrjedhimisht kanë bërë shkelje të asaj drejte, që sipas ligjit ne jemi të obliguar për me asgjësuar”, ka theksuar Jashari.
Konform Ligjit 03 L 170, dogana ka për obligim verifikimin e një marke tregtare, e cila është e mbrojtur, më pastaj komplet barra bie mbi bartësin e drejtës si dhe personin tek i cili është gjet sasia e mallit, e cila bënë shkeljen e drejtës së autorit.
Jashari ka theksuar se natyra e mallit është zbuluar në fazën e arritjes, e cila tregon se kanë qenë persona fizik, duke shtuar se kjo dëshmon edhe njëherë që dogana ka shtuar efikasitetin dhe kontrollin e pasagjerëve, por edhe të maunave.
Në këtë rast malli i konfiskuar është një sasi prej 77 copa të xhemperëve të markës “Gant”, 21 ora dore të markës “Lacoste” dhe “Puma”, si dhe 77 logo të markës “Prada”, “Chanel”, “XL” dhe “Valentino”.
Jashari për këtë logo të falsifikuara, thotë që paraqesin rrezik të madh, sepse munden me u keqpërdor brenda territorit të Kosovës, duke ju vendosur produkteve këtu.
“Shihet se është niveli i tyre më i rrezikshëm, se munden me u keqpërdor brenda territorit tonë. Kështu që vetëm marka importohet dhe në brendi të territorit vendoset nëpër produkte të ndryshme, çka e bënë shkeljen e të drejtës së autorit”, ka thënë Jashari.
Ai ka shtuar se Dogana e Kosovës, përkatësisht dega ne Aeroport, bënë kontrollet edhe të pasagjerëve, por edhe të maunave për mallra të dyshuara.
Ndryshe kostoja e mallit të konfiskuar dhe asgjësuar kap vlerën e afro 7 mijë eurove.