E Diel, 1 Nëntor 2026

QKUK kursen 1 milionë e 160 mijë euro

Nga Express më 13 shtator 2011 në ora 12:53

Ndonëse pa drejtor ekzekutiv dhe me limite buxhetore që ende vazhdojnë të jenë të ulëta në sektorin e shëndetësisë, Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka arritur që në një periudhë kohore prej 9 muajsh të kursejë 1 milionë e 160 mijë euro. Këtë e pohon për Kosovapress ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të QKUK-së, Lulzim Emini, i cili thotë se përfitimi ka qenë jashtëzakonisht i mirë për QKUK-në, por edhe për xhepin e pacientëve.

Sa i përket periudhës kohore prej janarit deri më 31 gusht, Emini thekson se menaxhmenti i kësaj qendre ka nxjerrë disa indikatorë matës që përveç përfitimeve të tjera që kanë pasur pacientët dhe QKUK, përfitimet në aspektin financiar të kësaj qendre për 9 muaj, janë rreth 1 milionë e 160 mijë euro.

“Në bazë të punëve që kemi kryer në këtë periudhë kohore, duke përfshirë këtu ngrohjen, lyerësit, pastaj donacionet, aplikimi i saktë dhe i kontrolluar i një citostatiku, veç citostatikun Herceptinë e kemi marrë, si dhe mos blerja e disa aparateve, e cila ka qenë e paraparë dhe të njëjtat, pastaj ne i kemi marrë donacion dhe në bazë të kësaj kemi përfunduar që buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe sidomos i QKUK-së, është kursyer për 1 milion e 160 mijë euro”, ka deklaruar Emini.

Madje, kjo shumë e kursyer sipas Eminit është arritur falë hapjes së veprimtarive të reja në këtë qendër, mirëpo në këtë rast përpos QKUK-së, përfitues janë edhe qytetarët e Kosovës, të cilët detyroheshin të kërkonin ndihmë dhe të harxhonin para në qendra shëndetësore private.

“Me hapjen e veprimtarive të reja shëndetësore në QKUK, siç është rezonanca magnetike, CT-ja 64 shtresor, koronorografia, stentimi dhe aplikimi i kimioterapisë për këtë periudhë kohore xhepi i pacientëve është kursyer për 960 mijë euro. Mendoj që këto janë, gjithnjë flas në raport për periudhën e njëjtë paraprake të viti të kaluar, si dhe të viteve të kaluara dhe mendoj se përfitimi ka qenë jashtëzakonisht i mirë edhe i QKUK-së edhe i xhepit të pacientëve”, ka thënë Emini.

Ndërsa shtoi se me këtë ata kanë përfituar shërbime më cilësore shëndetësore, si dhe gamë më të gjerë të këtyre shërbimeve.

Se si kanë arritur që të kursejnë dhe të përfitojnë në të njëjtën kohë, Emini thotë se përveç kontrollimit të shtuar dhe mbledhjes së donacioneve, vetëm në ngrohjen e kësaj qendre kanë arritur që faturën për ngrohje ta zvogëlojnë për 142 mijë euro, kurse gjatë kontrollimit të Herceptinës si citostatikë më i shtrenjtë, vetëm të Herceptinës kanë kursyer 450 mijë euro, me kontrollimin dhe me punën e shtuar të lyerësve të mureve 35 mijë euro, me naftën e inseneratorëve dhe me aktivizimin e sterilizatorit të ri 26 mijë euro, me punën e IT-ve 80 mijë euro, ndërsa me donacionin projekt ideor për Kirurgjinë e fëmijëve janë kursyer 45 mijë euro, projekt ideor, i cili sipas Eminit është i gatshëm.

Mirëpo një ndër donacionet më të mëdha të QKUK-së, Emini përmend donacionin suedez, prej të cilit kanë kursyer 180 mijë euro.

“Donacioni suedez, të cilin kemi marrë ne kemi kursyer 180 mijë euro, do të thotë ka qenë donacioni më i madh që kemi marrë me aparate të anestezioni dhe të njëjtën kohë nuk kemi blerë aparate të anestezionit aq sa është paraparë. Mirëpo ky vendim ka qenë i mëhershëm për shkak të blerjes së disa aparateve tjera që kanë qenë të rëndësishme, vetëm ky vendim i mos blerjes së aparateve dhe pastaj donacioni i aparateve të anestezionit, këto dy përfitime kanë sjell një përfitim QKUK-së prej 300 mijë euro”, ka bërë të ditur Emini.

Sidoqoftë, për të gjitha këto përfitime Emini thotë se ka njoftuar Ministrinë e Shëndetësisë, por përpos përkrahjes gojore ai nuk ka marrë ndonjë shkresë me shkrim. Mirëpo edhe kjo përkrahje për Eminin ka qenë e mjaftueshme, që ai të vazhdojë të punojë në këtë drejtim. (KP)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›