E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nedeljkovic paralajmëron incidente në veri

Nga Express më 13 shtator 2011 në ora 13:42

I ashtuquajturi kryeshef i Qarkut të Mitrovicës, Radenko Nedeljkovic ka thënë të martën se serbët e veriut janë të gatshëm për protesta nëse Prishtina dërgon doganierë në pikat kufitare Bernjak dhe Jarinje.

Sipas tij, jo vetëm kaq, por nëse kjo ndodh atëherë do të ketë edhe barrikada, incidente, bllokadë të rrugëve e tjera.

Ai theksoi se serbët janë përcaktuar se nuk duan doganier kosovarë në pikat kufitare dhe qëndrojnë fuqishëm prapa kësaj kërkese.

“Nëse KFOR-i dhe EULEX-i vazhdojnë me përkrahjen e tyre ndaj Hasim Thaçit, protestat dhe bllokadat do të jenë të pashmangshme. Në atë rast do të vie deri të mbyllja hermetike e veriut dhe mungesa e të gjitha artikujve që do të vështirësonte jetën e qytetarëve”, ka thënë Nedeljkovic.

Kërcënimet e Nedeljkovic vinë pak ditë, para se Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me KFOR-in dhe EULEX-in, të fillojë të zbatojë planin për vënien në funksion të dy pikave doganore me Serbinë, që gjenden në veri të vendit dhe dërgimin e doganierëve të Kosovës në këto pika.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›