Policia arreston 4 persona për detyrim dhe shtytje në vetëvrasje

Hetuesit rajonal në Mitrovicë kanë vënë në pranga të martën katër persona të dyshuar, për shkak të dyshimit se kanë nxitur nga motivi i detyrimit dhe kontraktimit jo-proporcional dy raste të vetëvrasjeve dhe një vetëvrasje në tentativë.
Zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti ka thënë se një vetëvrasje e datës 26 korrik dhe një tjetër që ka ndodhur më 9 shtator, të dy viktimave nga e njëjta familje, besohet të ketë qenë e nxitur nga detyrimi për pagesa të shumave të parave ndaj personave të dyshuar.
“Kontrollet e katër lokacioneve, shtëpi, prona private të dyshuarve në Mitrovicë, janë realizuar me sukses nga hetuesit rajonal të përkrahur nga Njësitë Speciale Operative të rajonit të Mitrovicës”, tha Hoti, duke shtuar se nuk është regjistruar ndonjë incident gjatë kontrolleve, si dhe janë identifikuar dhe sekuestruar prova të ndryshme materiale.
Sipas tij, dy vetura, një llap-top, SIM kartela të telefonisë celulare, dokumente dhe kontrata të ndryshme dhe sasi e parave të gatshme janë sekuestruar gjatë procesit të kontrollit.
Hoti tha se të dyshuarit janë në mbajtje dhe ndaj tyre është iniciuar paraqitje penale për veprat: “Shtytje në vetëvrasje”, “Detyrim” dhe “Kontraktim jo-proporcional”.