Pranga 28-vjeçarit, vodhi me armë kazinonë dhe kërcënoi policinë gjatë kontrollit

Lezhë, 30 gusht, NOA Polica e Lezhës ka arritur të zbulojë brenda pak orësh një vjedhje të ndodhur në një prej lokaleve të lojërave të fatit në këtë qytet.
Korrespodenti i Agjencisë NOA njofton se i arrestuari është Anton Gjetja, 28 vjeç me banim ne fshatin Tresh të komunës Zejmen në Lezhë.
Gjetja ka grabitur me armë pasditen e djeshme një
kazino në qytetin e Lezhës duke marrë shumën prej 400.000 lekë të reja.
Pasi janë njohur me rrethanat e ngjarjes dhe pasi kanë bërë identifikimin e autorit, forcat e policisë kanë shkuar në banesën e tij në fshatin Tresh.
Pasi kanë shkuar në banesën e tij, forcat e policisë kanë kërkuar që të bëjnë kontrollin e shtëpisë, por janë kërcënuar nga 28 vjeçari.
Me ndërhyrjen e forcave të tjera është bërë e mundur dhe arrestimi i tij si dhe gjetja e disa armëve dhe parave që u vodhën në kazino.
a.k/NOA