E Diel, 1 Nëntor 2026

“Projektligjet e drejtësisë janë antireformë”

Autori i Lajmit: red.
Partia Socialiste denoncon paketën e Reformës në Drejtësi si antikushtetuese. Kryetari i Komisionit të Ligjeve në Asamblenë Kombëtare të PS-së, Ylli Manjani, pohoi dje se Qeveria e Sali Berishës ka hartuar një numër projektligjesh antishtet, antireformë e antidemokraci ndaj drejtësisë në këtë vend. “Projektligji për Administatën Gjyqësore, Projektligji për Noterinë, Projektligji për Avokatinë, Projektligji për Përmbarimin dhe Projektligji për Prokurorinë, që vazhdon të jetë sekret shtetëror, janë nismat më të errëta që ka njohur sistemi i drejtësisë që nga koha e komunizmit”, - tha Manjani. Sipas tij, veprimet e Berishës justifikohen dukshëm. “Tashmë për çdo shqiptar është e qartë se Sali Berisha ka vetëm një hall, si të mbrohet nga akuzat që i vijnë nga Drejtësia. Kryeministri ka zgjedhur të marrë peng shtetin ligjor, edhe këto pak muaj që i kanë ngelur, dhe me këtë shtet të marrë peng e të sulmojë drejtësinë”, - tha, mes të tjerash, Manjani. Selia rozë e akuzon Berishën se po pengon drejtësinë të punojë sipas ligjit. Në këtë kontekst, Manjani solli në vëmendje rastin “Fazliç”. “Të gjithë pamë se si, ditën për diell, policia e Sali Berishës ndaloi Prokurorinë të bëjë detyrën e saj ligjore, në vend që të ndalonte Fazliçin”, - tha ai. PS angazhohet të ndalë Berishën që, siç thekson Manjani, nëpërmjet nismave të tij ligjore po përpiqet të pengojë drejtësinë në punën e saj apo të mbulojë dështimet në luftën kundër korrupsionit. Për këtë, PS premtoi se do të mbështesë çdo përpjekje të Prokurorisë, gjykatave, noterëve, avokatëve dhe gjithë komunitetit të juristëve për të mbrojtur pavarësinë kushtetuese të pushtetit juridik në Republikën e Shqipërisë.

Ky lajm është publikuar: 28/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›