Konflikti, Financat: Nuk i bllokuam paratë e bashkisë
Vendorët kryeqytetas tregojnë dokumentacionin që mbështet mosdhënien e parave nga Thesari
Thellohet përplasja mes Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Financave lidhur me lëvrimin e fondit nga Thesari i Shtetit për punë të kryera në kryeqytet nga 24 kompani private.
Përfaqësuesit e Ministrisë së Financave deklaruan dje se kanë zbatuar ligjin dhe nuk kanë bllokuar fondet e bashkisë. Ndërsa këta të fundit kanë reaguar menjëherë, duke akuzuar Financat se janë duke gënjyer opinionin publik.
Sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Financave, Bashkia e Tiranës dhe njësitë e qeverisjes vendore që ende nuk kanë miratuar buxhetin e vitit 2010, deri në miratimin e tij, do të shërbehen në degët e Thesarit në përputhje me ligjin “për menaxhimin e sistemit buxhetor”, pra do të autorizohen të kryejnë çdo muaj shpenzime deri në 1/12 e shpenzimeve faktike të buxhetit vendor në vitin buxhetor paraardhës. Ata kanë vënë në dukje se “Bashkia e Tiranës dhe çdo njësi e qeverisjes vendore mund të paraqesin në çdo moment dokumentacionin përkatës pranë degëve të Thesarit për kryerjen e shpenzimeve të papaguara gjatë vitit 2009”. Ndërsa, i janë kundërpërgjigjur deklaratave të vendorëve kryeqytetas, duke u shprehur se “Dega e Thesarit në Tiranë dhe në të gjithë vendin nuk ka penguar, përkundrazi ka bashkëpunuar dhe ndihmuar përfaqësuesit e qeverisjeve vendore me asistencë për mënyrën e zbatimit korrekt të ligjit.
I shpejtë ka qenë edhe reagimi i pushtetit vendor në kryeqytet pas këtij qëndrimi të Ministrisë së Financave. Ata kanë treguar të gjitha praktikat e dorëzuara në afatet e përcaktuara nga ministri i Financave, më datë 17 dhe 18 dhjetor 2009, ku Bashkia e Tiranës ka kërkuar shlyerjen e detyrimeve nga Thesari i Shtetit, kundrejt firmave që kanë ofruar shërbimet e lartpërmendura. “Punonjësi i Thesarit të Shtetit i ka pranuar ato, për t’i mbajtur në sirtar tri javë dhe për t’i kthyer mbrapsht më 8 janar, pa asnjë justifikim zyrtar, thjesht të pafirmosura, të pavulosura, të pakonfirmuara, d.m.th të bllokuara”, u shpreh përfaqësuesja e Bashkisë së Tiranës. Sipas saj, Thesari i Shtetit i ka kthyer mbrapsht praktikat e Bashkisë së Tiranës më datë 8 janar dhe po t’i referohemi deklaratës së Ministrisë të Financave, e cila thotë se buxheti është hapur që në datën 1 janar, të gjithë lehtë mund të kuptojmë se sa gënjeshtra përmban kjo deklaratë.
Këto para, që janë shndërruar në sherrin e radhës mes vendorëve kryeqytetas dhe pushtetit qendror, do të përdoren për të shlyer detyrimet ndaj 24 firmave private që kanë kryer shërbime pastrimi, rikonstruksion çerdhesh dhe kopshtesh, rikonstruksion rrugësh dhe hapësirash publike në Tiranë gjatë vitit 2009,
Por lidhur me përdorimin e buxheteve nga njësitë e qeverisjes vendore, Ministria e Financave deklaroi gjithashtu se buxheti i vitit 2010 është vënë në dispozicion të të gjithë përfituesve nga fondet e autorizuara prej tij që më datë 1.01.2010 dhe pagesat për to bëhen pa asnjë lloj kufizimi nga Thesari, i cili disponon mjetet monetare në masë të plotë të shumave të programuara në ligjin e buxhetit 2010. Në qëndrimin zyrtar të kësaj ministrie theksohet se “të gjitha fondet e papërdorura gjatë vitit 2009, përfshi dhe grantet konkurruese për njësitë e qeverisjes vendore, janë të trashëgueshme në masën 100% për 2010-n dhe se ato mund të përdoren vetëm nga njësitë e qeverisjes vendore”. Ata kanë kërkuar nga Bashkia e Tiranës që “të lërë mënjanë retorikën politike dhe të hartojë dhe miratojë në kohë buxhetin e saj për vitin 2010”.
Ndërsa bashkiakët i kanë bërë thirrje Ministrisë së Financave dhe Thesarit të Shtetit, “të kryejnë detyrimet e tyre të përcaktuara qartësisht nga ligji dhe të paguajnë sipas praktikave të paraqitura nga Bashkia e Tiranës, të gjitha kompanitë private që kanë ofruar shërbime për kryeqytetin gjatë vitit 2009, pasi nuk është problem i qindra punonjësve të këtyre kompanive, arka e boshatisur e shtetit”.
#