Konflikti i Patosit, tani me padi penale
Prefekti thotë se do të padisë kryebashkiakun për abuzime dhe do ta zgjidhë ngërçin
Ndërsa çështja e Këshillit Bashkiak të Patosit ka mbërritur në gjykatë, acarimet politike kanë shkuar në fazën e akuzave të rënda, jo vetëm morale, por edhe për shpërdorim detyre. Ditën e sotme, kur prefekti i Fierit, Bujar Hasaj, ka marrë vendimin e zhvillimit të mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Patosit, në Gjykatën e Fierit do të zhvillohet procesi gjyqësor i çelur me kërkesë të kreut të këshillit, Maksim Goga.
Kreu i Prefekturës së Fierit, Bujar Hasaj, në një prononcim për gazetën “Shqip” është shprehur se do të çojë për ndjekje penale kreun e bashkisë dhe atë të Këshillit Bashkiak të Patosit: Bardhi Meli dhe Maksim Goga për shpërdorim detyre. Hasaj tha se, “për t’u dhënë fund tensioneve në këtë njësi vendore dhe në bazë të ligjit për prefektin, kam të drejtën ligjore të thërras mbledhjen e këshillit bashkiak dhe të kontrolloj mirëfunksionimin e pushtetit vendor”. Më tej, duke vënë në dispozicion edhe dokumente, ai ka thënë se janë disa arsye që e shtyjnë drejt marrjes së këtij vendimi. “Kryetari i Bashkisë Patos, Bardhi Meli, akuzohet për shpërdorim detyre, pasi së bashku me shefen e financës ka xhiruar një shumë lekësh nga thesari, pa e kaluar më parë për miratim në këshillin bashkiak. Bëhet fjalë për pagesat e punonjësve të Ndërmarrjes së Pastrim-gjelbërimit. Po ashtu, kryetari i Bashkisë së Patosit nuk ka pranuar auditin e brendshëm të prefekturës për kontrollin e planifikuar në Bashkinë e Patosit. Dhe jo vetëm kaq, kryetari i bashkisë mban vulën me pa të drejtë. Ai nuk njeh vendimet e mazhorancës së krijuar së fundmi në këshillin bashkiak. Madje, kryetari i bashkisë ka arritur deri në mbajtjen e pagës së muajit dhjetor për sekretarin e këshillit bashkiak, Balil Balili, vetëm sepse ai i përket PDI-së, e cila ka mbështetur mazhorancën e re. Për të gjitha këto pika, si dhe për shumë raste të tjera flagrante, që unë si prefekt i kam cilësuar abuzuese për Bardhi Melin dhe Maksim Gogën, denoncoj se ata janë shpërdorues detyre, hajdutë të shtetit etj. Ndërkaq, ai ka shtuar se Maksim Goga ka konflikt interesi, pasi veç postit të kryetarit të këshillit bashkiak, mban dhe atë të kreut të bordit të Ndërmarrjes së Ujësjellësit. Këto dy pozicione prefekti i ka cilësuar si raste të konfliktit të interesit, për të cilat dy zyrtarët do të ndiqen penalisht.Sipas prefektit Hasaj, kryetari i Bashkisë së Patosit dhe zyrtarët e tjerë të kësaj partie nuk duhet të lejohen më të pengojnë funksionimin normal të pushtetit vendor, vetëm se forca politike që përfaqësojnë nuk është më mazhorancë. “Përherë do të ketë mazhoranca të reja politike dhe kjo nuk mund të shërbejë si justifikim për ndonjë bllokim”, tha prefekti.
#