Konflikti i gjatë prokurori-qeveri
Ligji është hartuar pas një debati të ashpër mes ministrive dhe Prokurorisë së Brendshme për varësinë e hetuesve. Për hartimin e projektligjit “Për funksionimin dhe organizimin e policisë gjyqësore”, është rënë dakord që të ngrihet një grup pune me ekspertët më të mirë të policisë dhe prokurorisë. Pika më e “nxehtë” që është diskutuar nga palët e qeverisë dhe prokurorisë ka qenë tema për varësinë e hetuesve, që janë në marrëdhënie pune me organin e akuzës. Drafti që është hartuar në Drejtorinë e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë parashikon që këta hetues të kalojnë në varësi të Ministrisë së Brendshme, ndërsa organi i akuzës mendon se këta hetues duhet të jenë pjesë e prokurorisë, pasi ikja e tyre dëmton procedimet penale. Sipas draftit të vjetër, sektorët e hetimit në prokurori duhet të shkriheshin për të funksionuar vetëm në Policinë e Shtetit. Vrasjet, plagosjet, krimet kundër jetës dhe shëndetit hetohen nga një sektor më vete. Po kështu krimet financiare, korrupsioni dhe shpërdorimi i detyrës kanë një sektor të veçantë me hetues dhe prokurorë të specializuar në këtë fushë. Më tej sektorët e tjerë sipas natyrës së dosjeve që hetojnë, janë ndarë në krimin e organizuar, që heton kryesisht trafikun e drogës, trafikimin e prostitucionit, klandestinët dhe një sërë veprash të ngjashme. Një tjetër sektor është ai i krimeve kundër pronës, që heton kryesisht vjedhjet. Me ndryshimin e këtij ligji, synohej që të gjithë këta sektorë të ngritur në prokurori do të shkrihen për të kaluar në polici.
#