Shkodër; Aksidenton nënë e bijë, largohet drejtuesi i automjetit
Një autoveturë tip Benz ka përplasur dy shtetase që po ecnin si këmbësore në aksin e rrugës “Alqi Kondi” në qytetin e Shkodrës. Nga një informacion paraprak që ka policia për këtë ngjarje, bëhet e ditur se autori ka aksidentuar shtetasen Suzana Hurmi, 35 vjeçe, banuese në fshatin Bardhaj, si dhe shtetasen Sabina Hurmi, 9 vjeçe, të cilat janë nënë e bijë, ndërsa autori është larguar nga vendi i ngjarjes. Dy shtetaset janë dërguar në spitalin rajonal në Shkodër ku po u jepet ndihma e shpejtë mjekësore. Burime nga spitali i Shkodrës thanë se shtetasja Suzana Hurmi ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa e bija është jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe është duke punuar për të dhënë një informacion më të plotë në lidhje me këtë ngjarje dhe për të identifikuar drejtuesin e automjetit.