Shteti italian vendos lehtësira në lëvizjen e shqiptarëve
Italia lehtëson lëvizjen e shqiptarëve që dëshirojnë të vijnë drejt Shqipërisë, lëvizje e lirë që fillon nga 1 gushti i këtij viti deri në 31 janar të vitit 2009. Por, lëvizjen e lirë nuk e përfiton kushdo, pasi janë vendosur disa kritere dhe kushte, të cilat konsistojnë në dokumente dhe mënyrën se si duhet vepruar gjatë lëvizjes. Kështu, prej datës 1 gusht, shtetasit shqiptarë që dëshirojnë të vijnë nga Italia drejt Shqipërisë, por që janë ende në procesin e rinovimit të lejes së qëndrimit të tyre apo kanë aplikuar për herë të parë, kanë mundësi të lëvizin lirshëm drejt vendit të tyre të origjinës. Sipas këtij vendimi, emigrantët me leje qëndrimi në Itali, qoftë edhe të përfunduar, mund të lëvizin me një kupon të lëshuar nga posta italiane në vendet e Shengenit. Ministria e Brendshme italiane arriti të fitojë sërish nga Këshilli dhe Komisioni i Bashkimit Evropian krijimin e lehtësimeve për të lejuar transitin në shtetet anëtare të BE-së. “Ky lehtësim është i vlefshëm nga 1 gushti 2008 deri me 31 janar 2009 dhe do të zbatohet vetëm për qytetarët e huaj që në ardhje nga Italia apo të drejtuar drejt Italisë zotërojnë, në momentin e transitit në zonën Shengen, dokumentet që vijojnë: kuponin e lëshuar nga Posta Italiane S.P.A, që vërteton paraqitjen e kërkesës për rinovimin e lejes së qëndrimit, pasaportë në periudhë vlefshmërie, lejen e qëndrimit të skaduar”, thuhet në komunikatën e ambasadës italiane në Tiranë. Sipas këtij njoftimi, shtetasit e huaj që janë në pritje të lëshimit për herë të parë të lejes së qëndrimit për punësim, për punë të pavarur ose për bashkim familjar, mjafton që të respektohen disa kushte që Këshilli Evropian ka vendosur dhe ata mund të kthehen në vendlindjen e tyre pa qenë e nevojshme për një vizë rihyrjeje. Kushtet që ata duhet të plotësojnë janë: dalja dhe rihyrja në Itali të bëhet nga e njëjta pikë kufitare, udhëtimi të mos parashikojë transit nëpër vendet e tjera Shengen, i huaji të paraqesë pasaportën bashkë me vizën e hyrjes për të bërë të qartë arsyen e qëndrimit të tij dhe kuponin e postave italiane S.P.A, që vërteton kërkesën e bërë për lëshimin për herë të parë të lejes së qëndrimit. Dhe së fundi personeli i kontrolleve kufitare duhet të vulosë dokumentin e udhëtimit bashkë me kuponin në momentin e daljes dhe të rihyrjes në Itali.
Dokumentet
* Kuponin e lëshuar nga Posta Italiane S.P.A, që vërteton paraqitjen e kërkesës për rinovimin e lejes së qëndrimit
* Pasaportë në periudhë vlefshmërie
* Lejen e qëndrimit të skaduar
Kushtet
* Dalja dhe rihyrja nga e njëjta pikë kufitare
* Udhëtimi të mos parashikohet transit nëpër vendet e tjera Shengen
* I huaji të paraqesë pasaportën bashkë me vizën e hyrjes për të bërë të qartë arsyen e qëndrimit te tij dhe kuponin e postave italiane S.P.A
* Personeli i kontrolleve kufitare duhet të vulosë dokumentin e udhëtimit bashkë me kuponin në momentin e daljes dhe të rihyrjes në Itali
Detaj
1 gusht 2008 deri më 31 janar 2009 do të jetë afati i zbatimit të këtij vendimi