Tiranë; Sot, masa për treshen që grabiti bankën NBG
“Burg pa afat” është masa që ka kërkuar përfaqësuesi i akuzës për treshen që grabiti bankën NBG në autostradën Tiranë - Durrës. Autorëve të grabitjes Edmir Shehi, Fatjon Karanxha dhe Luan Kuçi, do t’u komunikohet nesër kërkesa e prokurorit, ndërkohë që do dëgjohen edhe pretendimet e tre të rinjve lidhur me ngjarjen. Javën e kaluar, tre persona me maska kanë mundur të hyjnë në filialin e bankës NBG dhe kanë grabitur një shumë prej 1.5 milionë lekësh të reja. Sipas hetimeve, personat ishin larguar në drejtim të fshatit Domje dhe kishin përdorur më shumë se një makinë për transportin e parave. Pas pranimit të fajësisë nga njëri prej autorëve të krimit, prokuroria ka dorëzuar dje në gjykatë kërkesën për caktimin e masës së sigurisë “burg pa afat” për tre personat, e cila pritet të jepet sot nga gjyqtari i gatshëm në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë.