Konflikti për parakalimin,plumba kokës 35-vjeçarit
Sherr për parakalimin me makinë, gjen vdekjen nga plumbat 35-vjeçari. Durim Sinani u plagos rëndë, për të humbur jetën pak minuta më vonë në spitalin e Elbasanit, pasi u qëllua me armë automatike. Autori, sipas policisë është Roland Sallufi, 23 vjeç, i cili është ende në kërkim. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 17:00 të pasdites së djeshme, në aksin rrugor që lidh Peqinin me Elbasanin, në afërsi të Pajovës. Dy makinat, në të cilat udhëtonin të dy personat kanë parakaluar njëra-tjetrën, duke u bërë shkak për konfliktin me pasoja tragjike. Menjëherë, dy drejtuesit e mjeteve kanë ndaluar makinat, duke nisur debat të ashpër mes tyre. Gjatë fyerjeve në gjaknxehtësi e sipër, 23-vjeçari Gersi (Roland) Sallufi ka nxjerrë nga mjeti i tij një armë automatike me të cilën e ka qëlluar drejtuesin e mjetit tjetër, Durim Sinanin në kokë. Autori është larguar menjëherë nga vendngjarja teksa kalimtarë të rastit i kanë dhënë ndihmën e parë të plagosurit. Ai është dërguar me urgjencë për në spitalin e Elbasanit, ku ka mbërritur pak minuta pas ngjarjes. Mjekët e kanë futur menjëherë në sallën e operacionit, por ka qenë e kotë, pasi hemorragjia e madhe i shkaktoi atij vdekjen. Rreth orës 18:30, mjekët komunikuan se Sinani ndërroi jetë. Krimi në mes të rrugës nacionale çoi në vendngjarje policinë e Peqinit dhe atë të Elbasanit. Nga hetimi i kryer u identifikua si autor i vrasjes 23-vjeçari Gersi (Roland) Sallufi, banor i Peqinit. Dhjetëra forca policie janë vënë në kërkim të tij, duke kontrolluar zonat ku dyshohet se është fshehur autori. e.d
Shoqërohen në polici 5 dëshmitarë
Policia ka shoqëruar në komisariatin e Peqinit pesë persona, në cilësinë e dëshmitarëve të ngjarjes së rëndë, e ndodhur në mes të rrugës që lidh Elbasanin me Peqinin. Kjo ngjarje tronditi dhe banorët e komunës Pajovë, ku dhe kishte lindur dhe banonte viktima Durim Sinani.