Vlorë, pedagogë e studentë bojkotojnë 30 provime
VLORE - Pedagogët e Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë bojkotuan dje procesin e provimeve në shenjë proteste ndaj zvarritjeve të Ministrisë së Arsimit, për miratimin e programit të doktoraturës në matematikë dhe të 11 degëve të reja për vitin e ardhshëm akademik, 2009-2010. Rreth 100 pedagogë dhe qindra studentë, nuk zhvilluan rreth 30 provimet e parashikuara për këtë ditë, në të gjitha degët e këtij universiteti. Pedagogët u mblodhën në hollin e godinës së Rektoratit, ndërkohë që, studentët u detyruan të bëhen pjesë e kësaj proteste duke qëndruar përpara godinave të universitetit. Prof.dr.Spiro Caushi dhe Muftar Ramosaço bënë të qarta edhe qëllimet e bojkotit. Sipas tyre, Ministria e Arsimit ka zvarritur procesin e miratimit të degëve të reja, si dhe atë të Vendimit të Këshillit të Ministrave për programin e doktoraturës në matematikë. Mësohet se bojkoti i procesit të provimeve do të vazhdojë derisa t’i jepet një zgjidhje kësaj situate. Kërkesa për miratimin e degëve të reja është përcjellë pranë ministrisë që në mars, ndërkohë që ajo e programit të doktoraturës, prej më shumë se një viti. Synimi për çeljen e tyre, jo vetëm pasuron numrin e diplomave të lëshuara nga Universiteti i Vlorës, por zgjeron dhe përmirëson ndjeshëm kapacitetet që do të furnizojnë tregun e punës, në përputhje me standardet dhe dinamikën e zhvillimit të tij. q.b