E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr i momentit në lokal, plagoset me thikë 23-vjeçari

Hetimet Policia e Tiranës arreston një nga autorët e dyshuar

Sherri në pije e sipër i ka kushtuar shumë një të riu nga Valiasi i Tiranës, i cili është plagosur rëndë me thikë. Ai ka marrë plagë të rënda në bark, ndërkohë që ditën e djeshme policia ka mundur të vendosë në pranga të dyshuarin e kësaj ngjarjeje. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se ngjarja ka ndodhur në Valias të Kamzës. Sipas hetimeve, rreth orës 01:00 të mëngjesit në spital ka mbërritur Arben Moneka, 23 vjeç, i cili ishte goditur me thikë në bark. Menjëherë mjekët kanë njoftuar shërbimet e policisë, që kanë mbërritur aty dhe kanë identifikuar vendin e ngjarjes. Oficerët janë vënë në dijeni se ngjarja kishte ndodhur në një lokal në Valias. Shërbimet e Komisariatit Nr. 5 kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë shoqëruar disa të dyshuar. Gjatë orëve të para të ditës së djeshme është mundësuar identifikimi i një prej autorëve të dyshuar, i cili është Olgert Keta, 23 vjeç. Ai është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe është marrë në pyetje nga oficerët e Seksionit Kundër Krimit ndaj Personit. Sipas dëshmive të mbledhura, konflikti mes tyre ka nisur në gjendje të pirë, ku janë zënë me fjalë si të fortët e lagjes. Policia e ka arrestuar Ketën për vrasje të mbetur në tentativë, ndërkohë që po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në konflikt. Sipas të dhënave hetimore, Keta e ka pranuar akuzën, ndërkohë që arma e krimit nuk është gjetur. Ndërkaq, policia ka shoqëruar edhe njerëz të tjerë që kanë qenë në lokal gjatë momentit të konfliktit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›