Konflikti për pronën, dhunohet polici privat
Fyen dhe rreh një polic privat, pranga një 46-vjeçari vlonjat. Sipas policisë së Fierit, grindja e djeshme ka nisur për çështjen e një parkimi, por debati e ka origjinën muaj më parë, kur personat e përfshirë janë kërcënuar reciprokisht për çështjen e një prone. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier bëjnë të ditur për gazetën "Shqip" se i kanë vënë prangat shtetasit Arben Haxhi, lindur e banues në qytetin e Vlorës, nën akuzën e "plagosjes për shkak të detyrës". Të njëjtat burime sqarojnë se ngjarja ka ndodhur në daljen jugperëndimore të qytetit të Fierit, pranë një qendre tregtare. Arben Haxhi ka tentuar ta parkojë mjetin privat shumë pranë kësaj qendre tregtare, por është penuar nga Ramadan Lulaj, polic privat. Kaq ka mjaftuar që mes Lulajt e Haxhit të nisë debati, i cili ka përfunduar me konfrontim fizik. Kanë ndërhyrë policët e tjerë privatë, si dhe personat e rastësishëm, që situata të qetësohej, ndërkohë që është njoftuar edhe policia e Fierit. Kjo e fundit i ka marrë dhunuesit në mjediset e komisariatit, ndërkohë që polici privat ka kryer denoncimin nga ambientet e spitalit. Menjëherë pas kryerjes së denoncimit, policia i ka komunikuar edhe akuzën 46-vjeçarit. Më pas ka vijuar edhe hetimi lidhur me motivin, i cili sipas policisë konfirmohet se është si pasojë e një përplasjeje të mëparshme që të dy personat kishin pasur për një çështje pronësie.
Ma.Tr.
Ma.Tr.