E Diel, 1 Nëntor 2026

Korcë/ I zë dheu duke hapur kanal, vdesin 2 persona

 
Kujtim Bregu dhe Kasëm Shameti mbetën të vdekur, pas shembjes së dheut që i groposi 8 m thellë
Viktimat po hapnin kanal për vaditje në fshatin e tyre, Dvoran të Korçës. U nxorën pas 3 orë kërkimesh
Korçë- Shkarja e një masivi dheu groposi të gjallë dy persona, në Korçë, teksa ishin duke hapur një kanal për vaditje. Kujtim Bregu, 60-vjeç, dhe bashkëfshatari i tij, Kasëm Shameti, 50-vjeç, janë nxjerrë nga thellësia e tokës vetëm në mbrëmje, pas më shumë se tre orë kërkimesh. Tragjedia ndodhi 7 kilometra larg Korçës, në Dvoran të komunës Mollaj dhe ka pasur vetëm një dëshmitar, që i traumatizuar nga ajo që pa me sy, e ka pasur të pamundur t'iu vinte në ndihmë viktimave, të cilat i përpiu dheu sa hap e mbyll sytë.
Ngjarja
Dy bashkëfshatarët ishin duke hapur një kanal vaditës me një thellësi prej 6-8 metra, në një nga vendet e shenjta në afërsi të kishës së Shën Filipit. Vend, ku sipas banorëve nuk kryhen asnjëherë ndërhyrje, apo punime të tilla. Sipas dëshmisë së të afërmëve, dy burrat kishin më shumë se 8 orë që punonin për hapjen e kanalit. «Ata nisën gërmimet për hapjen e kanalit vaditës që në orët e para të mëngjesit»- thanë dje banorët e fshatit. Ndërkohë, që tragjedia është regjistruar rreth orës 16.00, kur bashkëfshatarët ishin thuajse drejt fundit të punës së lodhshme. Terreni ku po hapej kanali, sipas dëshmitarëve, ishte në një nga kodrat e fshatit Dvoran.
Dëshmitari
Në hapjen e kanalit, Shameti dhe Bregu nuk kanë qenë vetëm. "Kanali i cili është hapur vetëm gjatë një dite ka qenë më shumë se 4 metra i gjatë, ndërsa puna e tyre ka qënë e ndihmuar dhe nga një ekskavator, i cili ka hapur kanalin e thellë",- sqaruan burime policore. Duke iu referuar të njëjtave burime, por edhe rrëfimit të të vetmit dëshmitar, shoferi i ekskavatorit, mësohet se puna ka ecur normalisht. "Puna po shkonte fare normalisht, ndërkohë që tragjedia ndodhi gjatë kohës, kur ekskavatori ka qenë duke pushuar",- ka rrëfyer ai. Sipas tij, në këtë moment pauze të ekskavatorit, dy viktima kanë shkuar të punojnë me lopata kanalin. "Synimi i tyre ishte që të bënin një pastrim të kanalit të hapur. Po pastronin në thellësi, në mënyrë që të vendosnin aty tubacionet e duhura që do të shërbenin për vaditjen",- tregon dëshmitari. Ka qenë vetëm një moment, kur masivët e dheut iu janë shembur përsipër dy punëtorëve dhe pas kësaj, asgjë më nuk u mor vesh. Gjithçka ndodhi me shpejtësi rrufe, aq sa nuk të linte kohë për të vepruar.
Ndihma
Drejtuesi i ekskavatorit ka parë i tmerruar atë që ka ndodhur, ndërsa i alarmuar nëpëmjet telefonit ka njoftuar policinë e Korçës. Para mbërritjes së saj, banorë të fshatit kanë shkuar pranë vendit ku ndodhi tragjedia dhe kanë nisur kërkimet në shpëtim të dy viktimave. Të gjithë i janë drejtuar vendit me lopata dhe janë përpjekur më kot të nxjerrin në kohë trupat e bashkëfshatarëve të tyre. Gjithçka ka qenë e pamundur. Më pas ekskavatori që ka punuar për hapjen e kanalit, për orë të tëra ka punuar për nxjerrjen e trupave të mbuluar në një thellësi prej afro 8 metrash. Forca të shumta policie, kryesisht ato të policisë kriminale kanë marrë në dorë situatën, ndërkohë që janë mbajtur larg vendit ku ka rrëshqitur masivi i dheut, banorët e tjerë, pasi terreni u gjykua si i rrezikshëm.
Kërkimet
Kërkimet për gjetjen e trupave të dy viktimave Kujtim Bregu dhe Kasëm Shameti, nisën menjëherë pas shembjes së tyre në thellësi të dheut dhe deri në orët e mbrëmjes. Trupat u gjetën në thellësi mbi 8 metra. "Kufomat ishin të padëmtuara dhe vdekja ka ardhur si rezultat i mungesës së frymëmarrjes në thellësi të tokës",- kanë sqaruar dje burimet policore pas nxjerrjes së trupave. Fillimisht u tha se kërkimet do të ndërpriteshin, pasi errësira po e bënte të pamundur punën për kërkimin e tyre. Ndërkohë, forca të shumta policore kanë punuar në temperatura të ulëta. Me familjarët e viktimave ka qenë e pamundur të flisje, pasi të alarmuar dhe të mbytur nga dhembja nuk mund t'iu shkëpusje dot asnjë fjalë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›