E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kongo, 230 viktima pas shpërthimit të një kamioni çisternë


Të paktën 230 persona kanë humbur jetën pasi një kamion cisternë shpërtheu në një fshat të Republikës Demokratike të Kongos. Kamioni vinte nga Tanzania dhe u rrëzua në fshatin Sange, në afërsi të kufirit lindor me Burundin. Burime zyrtare thanë të shtunën se shpërthimi që ndodhi ditën e premte ka plagosur edhe 196 persona. Ata bënë të ditur gjithashtu se numri i të vdekurve mund të rritet.
Helikopterët e Kombeve të Bashkuara ndimuan në transportimin e të plagosurve në spital, ndërkohë ushtria kongoleze e cila humbi një numër ushtarësh në këtë shpërthim, dërgoi trupa në ndihmë të njerëzve të lënduar. Njoftohet gjithashtu se mes viktimave janë edhe pesë paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara. Dhjetëra shtëpi, shumica të ndërtuara me kashtë e baltë u shkrumbuan nga flakët.
Marcellin Cisambo, Guvernatori i provincës së Kivut Jugor ku ndodhi dhe aksidenti, tha për agjencinë "Reuters" se disa nga personat humbën jetën ndërsa përpiqeshin të mblidhnin naftën e derdhur, ndërsa të tjerët ishin brenda në shtëpi duke parë ndeshjen e Kupës së Botës. Të tilla aksidente nuk janë te pazakonta në Kongo dhe numri i viktimave është shpesh i lartë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›