E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kongoli: "Nano nuk foli as kur isha në detyrë dhe as pas dorëheqjes"

12/01/2005  Ish-drejtoresha e Doganave, Tatjana Kongoli, i ka cilësuar si spekulime deklaratat që ka dhënë dy ditë më parë Kryeministri, kundër saj. Në një prononim për "Metropol", Kongoli tha: "Këto sulme më duken të pabazuara. Nuk mund të ngresh akuza të tilla sot, pas një viti që jam larguar nga drejtimi i doganave, pasi nuk shkojnë me kohën". Sipas saj, situata ka të bëjë me faktin se Kongoli është bërë pjesë e Komitetit të Orientimit të Politikave në Partinë Demokratike. Ndaj dhe akuzat, për të, janë çështje inati dhe të pabazuara. "Në rast se kishte ankesa apo vërejtje të tilla, Kryeministri ka pasur kohë që kur dhash dorëheqjen apo dhe kur unë isha në detyrë si drejtoreshë e Doganave. Fakti është se ka zgjedhur një moment kur unë i jam afruar një iniciative të tillë, ndaj dhe akuzat e bëra nuk janë me vend", përfundoi Kongoli prononcimin e dhënë për "Metropol". Në lidhje me Kongolin, Nano tha dy ditë më partë se "besoj se nuk ka ngelur ndonjë njeri normal që të besojë se salmonela e pulës kongoleze mund të kthehet prapë në dogana, apo në financat publike". Me këtë, ai ka nënkuptuar Kongolin, e cila vetëm një vit më parë ka dhënë dorëheqjen nga detyra e drejtoreshës së Doganave. Në reagimin e saj, Kongoli shprehet se këto janë deklarata abuzive dhe aspak korrekte, pasi vijnë në një moment politik. Megjithë debatet e hapura, anëtarët e Komitetit të Politikave janë shprehur se do të angazhohen në iniciativën e PD-së deri në përfundimin e misionit të nisur nën drejtimin e kryetarit të demokratëve, Sali Berisha

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›