E Hënë, 2 Nëntor 2026

PD: Do heqim imunitetin e deputetëve

12/01/2005  Prioritet kryesor i qeverisë së Partisë Demokratike në rast të një fitoreje në zgjedhjet e ardhshme do të jetë lufta kundër korrupsionit. Për të përforcuar këtë temë, demokratët kanë premtuar se me ardhjen në pushtet, deputetët nuk do të kenë mbrojtjen e imunitetit, që është pengesë për zhvillimin e hetimeve. Komiteti i Orientimit të Politikave, pranë PD-së, ka prezantuar dje, në Hotel Tirana, projekt-programin për transparencën, mirëqeverisjen dhe luftën kundër korrupsionit. Hapja e zyrave të informacionit publik që në tre muajt e parë të ardhjes në pushtet, forcimi i legjislacionit, ngritja e avokatit të popullit për prokurimet publike, eliminimi i barrierave për biznesin etj., janë disa nga pikat, në të cilat qeverisja e PD-së do të mbështesë luftën e saj. Në projekt-programin e hartuar nga struktura më e re e PD-së flitet dhe për ngritjen e një task-force antikorrupsion, e cila do të koordinojë punën për zbulimin dhe denoncimin e praktikave korruptive në administratën publike.

Transparenca

Berisha deklaroi në fjalën e tij se do të kërkojë hartimin e një ligji për heqjen e imunitetit të deputetit, përpara se PD-ja të vijë në pushtet. Në fakt, kjo iniciativë është marrë dy herë, por pa gjetur mbështetjen e votave të socialistëve në Kuvend, që e kanë cilësuar këtë një iniciativë antikushtetuese. Qeverisja e PD-së premton transparencë maksimale, dhe informim të publikut që në tre muajt e parë të qeverisjes së saj. "Ajo që ka rëndësi të jashtëzakonshme për vendin është instalimi jo brenda një viti, jo brenda 6 muajve, por brenda tre muajve të të gjithë infrastrukturës për luftën kundër korrupsionit. Unë nuk mund të premtoj këtu se do ta luftojmë korrupsionin për tre muaj, nuk mund të premtoj që do të decentralizojmë pushtetin brenda tre muajve. Por, ama mund të premtoj se brenda dy muajve do të hapen zyrat e informacionit, mund të premtoj se brenda tre muajve administrata do të jetë e hapur për publikun dhe do të saktësohen të gjitha penalitetet kundër korrupsionit", tha Berisha. Sipas tij, programi i PD-së për këtë çështje duhet të jetë agresiv dhe i vendosur për arritjen e objektivave.

Administrata

PD-ja premton se nuk do të ketë spastrime në administratë, pas rotacionit të pushteteve. Lideri i PD-së, shqetësimit të ngritur prej pjesëmarrësve në tryezë, iu përgjigj se në administratë ka shumë njerëz, që punojnë me përkushtim dhe shumë kuadro të përgatitur, që sot punojnë nën presionin e ministrave të korruptuar. "Natyrisht jo e gjithë administrata është e korruptuar. Çdo gjë do të bëhet në bazë të seleksionimit dhe nga administrata shtetërore do të hiqen vetëm ata, të cilësve u provohet faji. Në këtë administratë bëjnë pjesë dhe shumë specialistë në moshë të re dhe që nuk pajtohen me mënyrat korruptive të shefave të tyre ministra. Nuk e keni idenë se në çfarë presioni punojnë, por nuk flasin dot se humbasin vendin e punës", tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›