E Diel, 1 Nëntor 2026

Nano: Unë dhe Berisha nuk ikim vullnetarisht

12/01/2005  Kryeminsitri Fatos Nano ka hedhur poshtë të gjitha hipotezat për largimin vullnetarisht nga jeta politike e vendit. Duke mbrojtur në këtë pikë edhe kundërshtarin e tij politik, kreun e PD-së, Sali Berisha, kryetari i socialistëve tha se derisa gëzojnë mandate legjitime nga vota e popullit, ata do të jenë pjesë e kësaj politike. "Jam i dënuar të shërbej në politikë, përderisa votohem", tha Nano, gjatë një takimi me gazetarët. Ai shtoi se "nuk i ka humbur akoma zgjedhjet dhe largimi nga politika do të jetë në momentin që nuk do të votohem më si Kryeministër, apo si kryetar partie, dhe nuk do të jem më as kryetar partie". Duke përforcuar idenë se nën drejtimin e tij Shqipëria ka njohur hapa pozitiv dhe në rrugën e integrimit, Nano tha se "Tirana është terminali i vetëm që vendet e rajonit të integrohen". Sipas tij, Bashkimi Evropian "po i kërkon Tiranës zyrtare të jetë e vëmendshme ndaj zhvillimeve në rajon". Në këtë mënyrë, Nano e shikon Shqipërinë si vendin kyç të rajonit. Roli që ka vendi ynë në Kartën e Adriatikut është për të përfshirë në të njëjtat marrëdhënie dhe vende si Kosova dhe Bosnja-Hercegovina për të rritur sigurinë rajonale.

Zhvillimi

Sipas kreut të qeverisë, hapësirat që krijon ekonomia në marrëdhëniet me vendet e rajonit duhen parë si sfida të frytshme për të ardhmen. Në këtë kontekst, Nano ka renditur arritjet e deritanishme ekonomike të vendit nën drejtimin e qeverisë së tij. Gjithashtu, ai e ka cilësuar si sfidë dhe dinamikën, me të cilën do të ballafaqohet sistemi ekonomik në tregun rajonal dhe në atë global. Ulja e tarifave doganore, që po aplikon Shqipëria, sipas Nanos, bëhen në kuadër të rritjes së marrëdhënieve të tregtisë së lirë në rajon. Shqipëria do të jetë e integruar në një treg unik të energjisë në vitin 2008.

Energjia

Kjo sepse aktualisht po bëhen investime konkrete në këtë fushë. Aktualisht KESH-i, sipas Kryeministrit Nano, po funksionon nën koston e prodhimit dhe reformimi i këtyre resurseve do të sjellë një çmim të mallit energji mbi koston e prodhimit. Në këtë mënyrë, sipas tij, do të ndërtohen rrjete tarifash për të shuar alibitë dhe abuzimet e shumta me pagesat e energjisë. Një sfidë tjetër, që qeveria, nën drejtimin e mazhorancës socialiste, po bën është dhe lufta kundër korrupsionin. Duke renditur një sërë shifrash, por dhe duke pranuar se ekziston fenomeni korrupsion në administratën e shtetit, Nano ka theksuar se, "të ardhurat në dogana gjatë këtij viti kanë qenë 5 herë më të larta, për shkak të shërbimeve që shteti ka ndërmarrë në këtë strukturë. Aktualisht, janë 76 kallëzime në prokurori për punonjës të doganave". Kjo, sipas Nanos, tregon se aty ku ka korrupsion janë aplikuar shkarkimet dhe denoncimet. Lufta kundër monopoleve është cilësuar si sfidë nga Kryeministri Nano. Duke paraqitur dhe një pjesë të strategjisë të Partisë Socialiste, ai ka theksuar se, "politika nuk mund të blihet" dhe se në politikën e socialistëve nuk do të preferohen më biznesmenët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›