E Shtunë, 31 Tetor 2026

“DAM Fest” vazhdon maratonën me muzikantët e rinj kosovar



Tingujt pianstikë të veprave të kompozitorëve me nam, ishin “intro” e mbrëmjes së katërt koncertale të Festivalit Ndërkombëtar të Muziktarëve të Rinj “DAM Fest”, që u mbajt të martën mbrëma në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Protagonisti i pjesës së parë të kësaj mbrëmje ishte pianisti Menan Bërveniku, i cili “zbrazi” talentin e tij artistik. Pjesë e programit artistik që shpalosi Bërveniku ishin vepra të kompozitorëve Bethoven, Cesar Frank dhe Johannes Brahms. Performanca e Bërvenikut, u mirëprit nga publiku, i cili detyroi atë që pas përformimit të rikthehet në skenë. Performanca e tij hapi rrugë për studentët e Fakultetit të Muzikës në Prishtinë. Muziktarët e rinj ishin ata që i dhanë shpirt veprave të kompozitorëve shqiptarë dhe botëror, me interpretim në solo-këndim, piano, flaut, violinë dhe kitarë. Pas koncertit, pianisti Menan Bërveniku, duke shprehur kënaqësinë që i është rezervuar kohë për koncert pianistik në kuadër të “DAM Fest”, ka thënë se programi i servuar për publikun përfshin angazhimin e tij gjashtëmujor.
“Të gjitha veprat i kam interpretuar për herë të parë. Meqë ishte një repertor jo shumë i luajtur në trevat shqiptare më është dashur t’i përkushtohem dhe kam punuar rreth gjashtë muaj enkas për “DAM -in”, ka thënë Bërveniku. Ai po ashtu ka dhënë kritika pozitive në adresë të Festivalit të Muziktarëve të Rinj. “Ndihem shumë i privilegjuar dhe i lumtur që marr pjesë në këtë festival. Kam marrë pjesë edhe vitin e kaluar por hera e parë që pata koncertin tim”, ka thënë ai. Mezosopranoja Albulena Krasniqi, e cila është studente e vitit të dytë në Fakultetin e Muzikës, e ka cilësuar “DAM Fest” si një mundësi të mirë për promovimin e talenteve të rinj. “Është hera e parë që po performoj në këtë festival dhe ndihem shumë mirë”, ka thënë Krasniqi. “Është festival i mirë që iu jep mundësi të rinjve për të shprehur talentin e tyre para audiencës”, ka shtuar ajo. Edhe pianisti Liburn Jupolli, i cili ka interpretuar një pjesë të kompozuar nga vetë ai, është shprehur i kënaqur me performancën dhe ngrohtësinë e publikut të mbledhur në sallën e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Ardian Isufi me “Teatri i hijeve”
Si ndikon e kaluara tek ne dhe se si ajo edhe pas vitesh të tëra nuk zhduket por na rishfaqet përmes hijeve të së shkuarës. Pikërisht këtë ka ekspozuar piktori Ardian Isufi teksa konceptonte ekspozitën e tij të fundit personale të çelur në Galerinë e Akademisë së Arteve dhe në galerinë Zeta. Në mediumin e pikturës ai na sjell një statujë të Leninit të mbuluara nga shkurret...apo një oxhak fabrike të shndërruar sot në objekt kulti. Një instalacion i stërmadh në hyrje të ekspozitës për të mishëruar rrëzimin e monumentit dhe krijimit të monumenteve të reja. Gjithçka ishte konceptuar siç ndodh në një teatër për të mishëruar kështu edhe titullin “Teatri i Hijeve” me perdet e kuqe të marra nga skena e Akademisë së Arteve. Në konceptimin kuratorial të Edi Mukës vihet fokusi tek Hijet tona ato prej të cilave jemi të pandashëm, na vijnë nga pas, na ndjekin heshturazi por me këmbëngulje. Hijet në ekspozitën e Isufit na vijnë si bartëse të ndërgjegjes sonë, deshmitarë të heshtur të bëmave tona. Edhe pse përpiqemi ti largojmë ato janë ende aty si për të na dëshmuar pafuqinë tonë përballë historisë.

Gjirokastër, Timo Flloko nderohet me çmimin “Nderi i Qytetit”

Një prej emrave më të shquar të kinematografisë shqiptare Timo Flloko, është nderuar me çmimin “Nderi i Qytetit” nga Bashkia e Gjirokastrës. Kryebashkiaku gjirokastrite, Flamur Bime, iniciator i nderimit të Timo Fllokos, ka vlerësuar kontributin e çmuar dhënë nga aktori i famshëm në artin skenik dhe atë kinematografik shqiptar duke e cilësuar atë si një prej figurave më të nderuara të vendit. “Një artist i madh i filmit dhe teatrit, pedagog dhe intelektual i shquar i kultivimit dhe promovimit të traditës dhe kulturës kombëtare shqiptare”, është ky motivacioni i titullit “Nderi i Qytetit” akorduar nga Bashkia e Gjirokastrës për aktorin Timo Flloko. Ceremonia e mbajtur me këtë rast ka përcjellë momente nga rolet e luajtura prej aktorit Timo Flloko, si dhe një minikoncert me interpretime në piano.

2 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›