E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kongresi, gati të miratojë planin e Bushit

 

Liderët e Kongresit dhe administrata Bush kanë rënë dakord paditen e së dielës, mbi elementet kryesore të planit të shpëtimit financiar prej 700 miliardë dollarësh, që do të shkojnë për industrinë, duke shënuar Ndërhyrjen më të madhe të qeverisë në treg. Tashmë pritet vetëm votimi i Dhomës përfaqësuese, ku opozitën më të madhe po e bëjnë vetë republikanët. Ata kërkojnë një sistem më të fortë sigurie për të mbuluar rënien e vleftës së aksioneve të firmave kreditore. Dhoma përfaqësuese do të votojë të hënën. Nëse Plani miratohet edhe këtu, i hapet udhë financimit më të madh njëherësh të dekadave të fundit të qeverisë amerikane në ekonomi. “Na duhet edhe pak punë për ta finalizuar, por themi se jemi shumë afër”, tha Sekretari i Thesarit Henry Paulson. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nensi Pelozi, tha se marrëveshja duhet të hidhet në letër para se të zyrtarizohet. Ndërsa udhëheqësi i demokratëve në Senat, Herri  Rid shpreson që njoftimi përfundimtar të bëhet sot. Në një fjalim përpara kombit, Presidenti Bush tha se e gjithë ekonomia amerikane vihet në rrezik nga pasiguria e vlerës së aksioneve të mbështetura mbi kreditë prej miliarda dollarësh të shtëpive, të cilat tashmë kanë humbur vlerë dhe kërcënojnë ekonominë amerikane. “Dështimi i sistemit financiar do të bënte që bankat të ndalonin dhënien e kredive njëra-tjetrës si edhe bizneseve dhe konsumatorëve. Kjo do ta bënte më të vështirë që amerikanët të merrnin para hua apo kredi për të zgjeruar biznesin e tyre, çka do të sillte më pak rritje ekonomike dhe më shumë vende pune të humbura. Dhe këto të fundit do ta çonin ekonominë tonë drejt një ngecjeje të thellë dhe të dhimbshme”, tha Bush. Sipas sondazheve 40 për qind e amerikanëve e kundërshtojnë planin e qeverisë për të shpenzuar paratë e taksapaguesve për të blerë investimet e këqija.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›