E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekti për Bregdetin po ecën sipas planifikimit



Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit ka reaguar rreth një shkrimi, që e cilëson spekulativ, të botuar në “Gazetën Shqiptare”, lidhur me projektin e menaxhimit të integruar dhe pastrimit të zonës bregdetare. Ministria reagoi dje duke i konsideruar të pasakta të dhënat që janë servirur në atë shkrim lidhur me projektin e mësipërm. Ndër të tjera, në reagim thuhet se “subjekti rreth këtij projekti është shtjelluar pa fakte, pa intervistime, pa burime, thjesht trillohet lirshëm”. “Kuptojmë se edhe shkrimet e djeshme, dt. 15 shtator 2008, janë në vijim të trillimeve të publikuara më 17 shtator 2007, për të cilat preferuat të shkelni ligjin e të mos botoni përgënjeshtrimin e paraqitur tek ju brenda ditës”, - thuhet në këtë shpjegim.

Më tej sqarimi vazhdon se “në rast se vërtet do ishit të interesuar për ecurinë e projekteve të infrastrukturës publike dhe planifikimit në Bregdetin e Jugut, mjafton të kishit kryer një gazetari normale duke pyetur si zyrën e projektit tonë edhe zyrën e Bankës Botërorë në Tiranë për të marrë përgjigje qoftë mbi çfarë po kryhet si pjesë e përmirësimit të infrastrukturës publike, qoftë kur ka qenë data për miratimin e Planit të Zhvillimit të Zonës Bregdetare, qoftë nëse janë zhvilluar dialogje, konsultime dhe debate të hapura me publikun (dhe jo me simpatizantë partish, siç kemi shembullin në Tiranë)”.

Ndër të tjera, në reagimin e MPPTT-së thuhet se “në rast se vërtet mendoni që plani në fjalë është vonuar, ju lutem vini re se është kryer brenda një periudhe prej dy vitesh e cila kontraston shumë me planin e Tiranës që ka 8 vjet dhe premtohet dhe ende nuk është kryer”.

“Jemi krenarë për punën kolosale te kryer në përgatitjen e Planit të Zhvillimit të Zonës Bregdetare, - thuhet në përgjigjen e projektit, - pasi është një punë e kryer nga konsulentët ndërkombëtarë më në zë, e konsultuar me publikun në çdo hap, e publikuar në faqen në internet ku mund t’i shqyrtojë gjithkush, përveçse për fat të keq gazetarisë alla-bolince”.

“Shkrimi juaj duke qenë i pabazuar në fakte, por thjesht në trillim, që mundohet të shitet si e ditur për opinionin, pra si informacion që nuk ka nevoje për faktim, burim etj., mbetet spekulativ, ashtu si shumica e shkrimeve tuaja. Gjithsesi, duke pasur një historik të pasur trillimesh në eksperiencën tuaj, përfshi dhe trillimin botëror për orën në Fushë-Krujë (deri diku ndihemi të nderuar nga spekulimi i radhës i këtij botuesi), ky rast përforcon edhe me qartë standardin dhe besueshmërinë e kësaj lloj gazetarie”, - përfundon sqarimi i zyrës së projektit të menaxhimit të integruar dhe pastrimit të zonës bregdetare, njësia e koordinimit të projektit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›