E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthesa, Rama i kërkon takim Ilir Metës

Edi Rama ndryshon qëndrim ndaj Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe kërkon negociata. Duke bërë një kthesë të papritur, Rama i ka dhënë fund heshtjes ndaj akuzave të LSI-së, duke reaguar me një kërkesë për ndihmë për t’u bashkuar kundër mazhorancës. Përmes një letre dërguar dje në orët e vona të pasdites në adresë të kreut të LSI-së, Ilir Meta, kryetari socialist kërkon të zhvillojë një takim me ish-aleatin e tij, Ilir Meta, ditën e mërkurë në mesditë, në një nga vendet më luksoze të kryeqytetit. Rama është treguar i kujdesshëm që të përdorë tone mjaft miqësore, duke e nisur letrën me “I dashur Ilir”. Më tej, Rama i referohet çështjes së Gërdecit dhe vdekjes së biznesmenit Kosta Trebicka si një arsye për të bashkuar forcat dhe për të parë mundësitë e kthimit në stabilitet, në një kohë ku sipas Ramës, “qytetarët ndihen dy herë më pak të sigurt se më parë”. Për këtë, ai shprehet se është i gatshëm që ta takojë atë nesër në mesditë. Mësohet se e njëjta letër është nisur dhe në adresë të liderëve të tjerë të opozitës, ku kërkohet takim në po të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë. Në këtë mënyrë, në prag të një protestë ditën e premte, Rama kërkon të paraqesë publikisht një opozitë të bashkuar. Ndërkaq, ai prej disa kohësh ka refuzuar kërkesën e përsëritur të LSI-së për negociata për reformën zgjedhore, duke e detyruar këtë të fundit që të zgjidhte formën e akuzave politike. Por Rama në letrën e tij nuk e përmend fare këtë çështje me interes të madh për LSI-së, duke u fokusuar vetëm tek çështja e Gërdecit. Duke përdorur pjesë të fjalimit të përdorur gjatë konferencës për shtyp në mesditën e djeshme, Rama shprehet se beson se edhe aleatët e tij ndajnë të njëjtin shqetësim si ai për çështjen e sigurisë dhe drejtësisë në vend. Rama në letër shkruan se “duke besuar se ndajmë të njëjtat shqetësime e bindje për sa më lart, në emër të Partisë Socialiste dhe së bashku me kryetaren e Grupit Parlamentar Socialist, jemi të gatshëm të diskutojmë e të bashkërendojmë me ju qëndrime e veprime të përbashkëta për çështjet madhore të drejtësisë e të sigurisë në Shqipërinë e kërcënuar seriozisht nga krimi, korrupsioni dhe trysnia e pushtetit të sotëm mbi liritë e njeriut”. Letrat janë nisur në selitë e aleatëve dje në mbrëmje dhe zyrtarisht nuk ka asnjë reagim. Ajo çfarë mund të shkaktojë surprizë është qëndrimi i Ilir Metës ndaj kësaj ftese. Nuk dihet ende se cili do të jetë reagimi i tij, por pritet që së bashku me këtë mundësi takimi të rikthehen kërkesat e LSI-së për bashkëpunim, çka do të thotë që LSI mund të kushtëzojë bashkërendimin opozitar. Gjithsesi, prej muajsh së majtës i ka munguar bashkërendimi dhe shkak për këtë u bë vota e PS-së, pro ndryshimeve në Kushtetutë më 21 prill. Ndërsa mbledhja e fundit e liderëve të së majtës së bashku është bërë në muajin janar. Një muaj më vonë Meta shpalli largimin nga koalicioni me Ramën, duke krijuar një tjetër koalicion. Marrëdhëniet u acaruan me ndryshimet në Kushtetutë, ndërsa fundi i gushtit shënoi përplasje të reja mes tyre, këtë herë për reformën zgjedhore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›