E Diel, 1 Nëntor 2026

Kongresi i PS do të ratifikojë ndryshimet në statut

28/03/2005  Dy partitë kryesore të politikës shqiptare kanë nisur ftesat drejt partive simotra për të marrë pjesë në Kongresin e partisë përkatëse në fund të muajit prill

Në mbledhjen e Kongresit të PS-së, mbi 600 delegatë socialistë do të ratifikojnë të gjithë paltformën elektorale, për të përballuar zgjedhjet e përgjithshme të këtij viti. Miratimi i ndryshimeve në statutin e PS-së, do të jetë pjesë e punimeve të kongresit, ku do të synohet përfshirja e fuksioneve dhe kompetencave që do të kenë Komitetet e Zonave Elektorale, si struktura më e re e socialistëve. Gjithashtu, delegatët e socialistëve, do të ratifikojnë listën e 100 kandidatëve për deputetë të PS-së. Burimet janë shprehur për "Metropol" se para mbajtjes së kongresit në 23 prill, programi i punës do të shqyrtohet më parë nga një mbledhje e Kryesisë, për ta vijuar më pas me mbledhjen e KPD-së.

Statuti

Socialistët pas prezantimit që i bënë disa muaj më parë strukturës më të re të PS-së, asaj të Komiteteve Zonale Elektorale, tashmë do t'i takojë kongresit të 23 prillit që të bëjë përfshirjen e kësaj strukture në statut. Sipas projektit, KZE-të do të zgjidhen me votim të drejtpërdrejtë nga anëtarësia socialiste, ndaj dhe kërkohet përcaktimi i saktë në ligjin bazë të PS-së. Burimet shprehen se, përcaktimi i qartë i funksioneve të çdo niveli në PS, do të bëjë që kjo parti të ketë mbarëvajtje më të mirë. Ndryshimi në statut do të bëhet për një riorganizim më të mirë të gjithë strukturave, nga baza deri në qendër. Gjithashtu, një pikë tjetër që do të shqyrtohet nga Kongresi, do të jetë përcaktimi i saktë i kritereve që duhet të plotësojë një socialist për të qenë kandidat për deputet.

Platforma

Delegatët e Kongresit do të ratifikojnë platformën elektorale të PS-së, e cila aktualisht po përgatitet nga një grup pune. Platforma elektorale do të jetë produkt i të gjithë rezultatit të punës së komisioneve të KPD-së. Realizimi do të synojë të jetë sa më i prekshëm nga elektorati shqiptar. Vazhdimi i reformave të nisura dhe përgatitja për të përmbushur kërkesat e Bashkimit Evropian për integrimin e vendit, do të jenë pikat kryesore të platformës elektorale të PS-së. Ndërsa, drafti do të shpaloset gjatë muajve të fushatës elektorale. Kështu, në platformë do të synohet të pasqyrohen të gjitha arritjet si dhe problemet që nuk kanë gjetur akoma një zgjidhje.

Kandidatët

Përgatitja e listës për 100 kandidatët që PS-ja do të përzgjedhë për të përballuar zgjedhjet e përgjithshme, është një procedurë që do të kalojë në të gjithë forumet e kësaj partie. Pas publikimit të këtyre emrave nga strukturat organizative në bazë të degëve dhe nëndegëve nëpër rrethe, lista e kandidatëve do ti nënshtrohet votës së anëtarësisë socialiste, duke zbatuar parimin "Një anëtar, një votë". Kandidaturat do të shqyrtohen nga Kryesia, më pas nga KPD-ja dhe për të marrë miratimin përfundimtar, nga Kongresi. Kandidatët do të jenë ata që do të shpalosin para elektoratit platformën zgjedhore të PS-së.

Delegatët do të votojnë për kompetencat e KZE-ve

Kongresi i Partisë Socialiste do të shqyrtojë përcaktimin sa më qartë të pozicioneve që do të mbajnë kryesitë e degëve në rrethe dhe 100 kryesitë e Komiteteve Zonale Elektorale. Prezantimi i KZE-ve si struktura më e re që do të krijohej në bazë të parimit "një anëtar, një votë", ka sjellë një debat të heshtur mes dy strukturave. Debati do të sqarohet kur kompetencat e KZE-ve, do të bëhen pjesë e statutit të PS-së, pasi nga dy forumet e larta, vetëm anëtarët e KZE-ve zgjidhen me votë të drejtpërdrejtë nga elektorati, ndaj ende nuk është e qartë se cila strukturë është më e lartë në procesin e vendimmarrjes. Kryetari i një KZE-je zgjidhet nga votat e anëtarësisë socialiste, ndërkohë që kryetari i PS-së në degë dhe nëndegë, emërohet nga organizata socialiste e rrethit. Përzgjedhja e kryetarit të KZE-ve nga anëtarësia, duket se bën figurën e këtij të fundit më të besuar nga elektorati. Në mbledhjet e fundit të KPD-së, është kërkuar nga kryetarët e PS-ve në rrethe që të sqarohet pozicioni i kryetarëve të KZE-ve. Tashmë i takon kongresit që të përcaktojë dhe një hierarki të dy struktuarve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›