PS fton partitë e Internacionales Socialiste
28/03/2005 Kongresi Elektoral i Partisë Socialiste, do të ketë të ftuar përfaqësuesit më të lartë të Internacionales Socialiste. PS-ja u bë anëtare e kësaj internacionaleje, në tetor të vitit 2003. Për herë të parë në një kongres të socialistëve shqiptarë, priten të jenë të pranishëm përfaqësues të lartë të organizatës më të madhe socialiste në botë. Sipas Taulant Ballës, "ftesa për të marrë pjesë në Kongresin e prillit i është dërguar përfaqësuesve të PASOK-ut në Greqi, përfaqësuesve të Internacionales Socialiste Europaine dhe Botërore si dhe të gjitha partive simotra në rajon". Ndërkohë, në Kongresin Elektoral të PS-së, pritet t'i dërgohet ftesë dhe kryetarëve të partive të majta që veprojnë në Shqipëri. Ashtu siç tashmë është bërë dhe traditë, të ftuarit bëjnë dhe përshëndetjen e tyre në punimet e Kongresit. Për të ndjekur punimet e kongresit, janë të ftuar personalitete të njohur shqiptarë dhe të huaj që veprojnë në vendin tonë. Ndërkohë që pas kongresit, përfaqësuesit e Partisë Socialiste do të shfrytëzojnë rastin për të zhvilluar bisedime me të ftuarit për të intensifikuar kështu marrëdhëniet midis Partive. Në këto takime do të synohet të sigurohet ndihmesa e simotrave të PS-së, për integrimin e vendit tonë në strukturta euroatlantike. Do të jetë Kongresi i këtij muaji që do të përcaktojë kandidaturat socialiste, strategjitë elektorale si dhe mënyrën e përfaqësimit në koalicione.