E Diel, 1 Nëntor 2026

Muaji prill përcakton aleancat e majta

28/03/2005  Partia Socialiste do të dalë me një qëndrim më të qartë kundrejt aleatëve të saj, pas punimeve të Kongresit të prillit. Përgatitja e një formule bashkëpunimi dhe angazhimi i bazës socialiste për ta bërë të realizueshme këtë formulë, duket se do të jetë pjesa e diskutimeve në këtë Kongres. Sigurimi i votave për kandidatët për deputetë të PS-së në mazhoritar dhe sigurimi i votave për subjeketet e majta në proporcional, duket se do të jetë formula me të cilën socialistët do të kërkojnë dhe bashkëpunimin e partive të majta. Përcaktimi i koalicioneve parazgjedhore mes PS-së dhe forcave të tilla si Partia Socialdemokrate, Partia Agrare Ambientaliste, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Partia Aleanca Demokratike, etj., do të jenë një pjesë kryesore e bisedimeve mes përfaqësuesve të këtyre forcave. Aktualisht, nga PS-ja nuk është bërë një ftesë zyrtare për të zhvilluar bisedime me aleatët e saj të majtë, pavarësisht se, duket se ekziston një vullnet nga PS-ja, për të zhvilluar koalicione parazgjedhore. Sipas përfaqësuesve të PS-së, bashkëpunimi do të risillte sërish në pushtet partitë pjesëtare të "Koalicionit për Integrim". Nga ana tjetër, aleatët e Partisë Socialiste janë në pritje të një ftese zyrtare për zhvillimin e negociatave. Partitë e vogla kërkojnë që çdo bashkëpunim të jetë në bazë të një marrëveshje të nënshkruar nga të gjitha palët pjesëmarrëse.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›