E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetari Dervishaj: “Në mbledhjen tjetër votim nominal”



Votimi për buxhetin e 2009-s është quajtur i pavlefshëm nga përfaqësuesi kryesor i Këshillit Bashkiak. Kryetari i Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishaj, në një konferencë për shtyp, deklaroi se kryetari i Bashkisë së Tiranës ka shkelur procedurat e votimit. Kështu, numërimi me zë të lartë që kryetari Rama u bëri votave të këshilltarëve bashkiakë është shkelja e procedurave që zhvlerëson të gjithë votimin e pardjeshëm për projektbuxhetin. Ndërkohë që Dervishaj thotë se jo të gjithë këshilltarët kanë ushtruar të drejtën legjitime të votimit. Ai është shprehur se do të ketë një votim tjetër, ku të gjithë anëtarët e Këshillit do të diskutojnë për propozimet e bëra, ku të arrihet në një konsensus dhe më pas të kalohet në votim. “Palët të ulen në dialog, të gjejnë zgjidhjet më të mira të mundshme, të reflektohet për aq sa është e nevojshme dhe e domosdoshme dhe sa më parë të vijnë përsëri në këtë sallë dhe me një kulturë të ndryshme komunikimi”, - vijoi ai. E ndërsa, përfaqësuesi i LSI-së kërkon votim të ri, kryebashkiaku Rama ka mohuar një tjetër votim pas atij të dy ditëve më parë. Në mbledhjen e fundit buxheti mori votat e mundshme, që do t’u hapin dritën jeshile investimeve që janë parashikuar në këtë buxhet. Përfaqësuesit e LSI-së dhe të PD-së janë të bindur se buxhetit duhet t’i bëhen modifikime dhe deri atëherë ata do të kërkojnë dialog mes palëve për të bërë ndërhyrjet e reja. Pas katër orë e gjysmë debatesh, votimi u shpall i pavlefshëm nga kryetari Dervishaj.

Gjinushi: “Dështoi skenari PD-LSI për rrëzimin e buxhetit”
Partia Social-Demokrate ka lëshuar akuza të ashpra në drejtim të Lëvizjes Socialiste për Integrim, pas anulimit të votimit për miratimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës. Kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, tha se LSI-ja po bashkëpunon ngushtë me PD-në për të goditur modelin e mirë të qeverisjes vendore të Edi Ramës.
“Të gjithë banorët e kryeqytetit dhe mbarë opinioni publik, panë se si dështoi skenari politik PD-LSI për bllokimin e qeverisjes vendore dhe posaçërisht për të goditur modelin më të mirë të kësaj qeverisjeje, të përfaqësuar nga Edi Rama, të mbështetur dhe vlerësuar brenda e jashtë vendit. Parmbrëmë, dhe prej kohësh shohim një LSI që flet e sillet njëlloj si PD-ja, që përdor të njëjtat masha, ku Sokoli drejton Këshillin si Jozefina, vetëm e vetëm, për t’i shërbyer qeverisjes mafioze-destruktive të Sali Berishës, në dëm të shqiptarëve. LSI-ja i gjendet në krah PD-së, si gjithnjë, në ditët e saj më të vështira, në kulmin e dështimit të qeverisjes së PD-së, kur ajo ndodhet në konflikt të hapur me partnerët tanë kryesorë: SHBA dhe BE; kur ajo po dhunon Kushtetutën dhe liritë e të drejtat e shqiptarëve; kur qeveria po varfëron e vjedh përditë popullin; ku në çdo moment plasin skandale e krime qeveritare, nga trafik armësh deri te vjedhje pronash; kur qeveria na ka lënë përsëri te dyert e Europës”, - tha Gjinushi.

5 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›