E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Buxheti u miratua me 29 vota pro dhe tani u hapet rrugë investimeve”



Emanuela Sako

Bashkia e Tiranës tashmë ka buxhetin e saj për këtë vit, pavarësisht kontestimeve që janë bërë për votimin e tij. Anëtarët e Këshillit Bashkiak, dy ditë më parë dhanë 29 vota pro buxhetit të 2009-s. Kryebashkiaku Edi Rama, gjatë një konference për shtyp, deklaroi se kartonët që u ngritën pro buxhetit e kanë mbyllur përfundimisht këtë çështje dhe diskutimeve që pohojnë të kundërtën. Ndërkohë, u ka bërë ftesë të gjithëve që nuk janë dakord të shohin pamjet filmike, të cilat vërtetojnë votat e sigurta që kanë dhënë këshilltarët. Bashkisë së Tiranës nuk i ngelet tjetër veçse të vazhdojë investimet sipas shpërndarjes që është parashikuar në buxhetin e ri të Bashkisë. Debatet për kontestimin e votave duket se janë të papërfillshme nga drejtuesi i Bashkisë së Tiranës, i cili u ka dhënë fund hamendësimeve për një votim të katërt.
Votimi
Kryetari i Bashkisë është shprehur se në sallë janë numëruar 29 vota pro, nga të cilat 22 janë dhënë nga anëtarët socialistë dhe të PSD-së dhe 7 vota të tjera nga partitë e vogla aleate. Sipas tij, votimi ka qenë i vlefshëm, pasi në sallë u votua me vota të plota pro buxhetit dhe gjithçka është e regjistruar nga kamerat. Ndërsa qëndrimin e kryetarit të Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishaj, e ka vlerësuar si një qëndrim partiak që donte të pengonte votimin. “Ndjesë dhe mirënjohje për ju gazetarët dhe kameramanët e të gjitha mediave, që i dhatë mundësi publikut të ndjekë nga afër ballafaqimin e akuzave me argumentet, të shpifjeve me faktet, të fyerjeve me shifrat, por edhe që fiksuat dëshminë e 29 votave pro, të cilat i dhanë Tiranës buxhetin e mohuar padrejtësisht prej muajsh. Ky nuk është buxheti im dhe as buxheti i 29 këshilltarëve që e votuan pro. Ky është buxheti i atyre qindrave mijërave njerëzve që na kanë votuar”, - deklaroi Edi Rama.
Deklarata
Kreu i Bashkisë e ka cilësuar si një sulm politik për të penguar zhvillimin e kryeqytetit dhe punën e Bashkisë. Për Ramën kjo është një aleancë mes kryeministrit Sali Berisha dhe Ilir Metës.
Ai nuk ka dashur të shfaqet si fitimtar, pasi këtë gjë e ka cilësuar si një lojë politike të gatuar nga Sali Berisha dhe Ilir Meta. Njëkohësisht ka kërkuar që LSI-ja të tërhiqet nga kontestimet, pasi tashmë gjithçka ka përfunduar dhe t’u hapë rrugë punëve që duhet të bëhen nëpërmjet buxhetit nga Bashkia e Tiranës. Ndërsa ka vënë në dyshim zgjedhjet e lira parlamentare që do të bëhen pas 143 ditëve. “Nuk do të donim sot që pasi u bashkua me Sali Berishën për të bllokuar buxhetin, Iliri bashkohet me Sali Berishën për të prishur votimin e ligjshëm, transparent dhe të fiksuar nga të gjitha kamerat pro buxhetit. Kjo nuk do të ishte vetëm më e keqja për atë vetë dhe për grupin e tij, por oguri i padëshiruar për lirinë dhe ndershmërinë e zgjedhjeve të mëdha të 143 ditëve më vonë”,- theksoi kryetari i Bashkisë. Votimi u realizua në 3 raunde, derisa gjeti rrugën e zgjidhjes. Anëtarët e PD-së dhe LSI-së kanë kundërshtuar buxhetin me pretendimet se nuk ka transparencë të ndarjes së buxhetit. Ndërsa ka pasur dhe projekte shkollash apo çerdhesh që janë parashikuar si në buxhetin e 2008-s, ashtu dhe në atë të 2009-s.
Dy ditë më parë Rama ka dhënë sqarimet përkatëse në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, ku ka kërkuar dhe votimin e buxhetit.

5 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›