Veliaj: “Meta dhe Berisha të mos mbajnë peng interesat e qytetarëve”
Drejtuesi i G99-s, Erion Veliaj, përgëzoi 29 këshilltarët që votuan pro interesave të qytetarëve në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Ai i bëri thirrje kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të LSI-së Ilir Meta që të mos mbajnë peng interesat e qytetarëve të Tiranës. Duke komentuar mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak të Tiranës, kryetari i G99-s theksoi se “u dallua qartë ajo që kemi kohë që po e vëmë në dukje e që është kompaktësia e dy koalicioneve: koalicioni që ndërton dhe koalicioni që shkatërron”. Duke i inkurajuar qytetarët e Tiranës, apo edhe të Korçës që të mobilizohen e të solidarizohen me njëri-tjetrin në këtë periudhë të vështirë sabotimi, Veliaj i ftoi ata që së pari “të mendojnë seriozisht për ditën e ndryshimit”, ndërkohë që tha se 143 ditë e ndajnë vendin nga kjo ditë. “Fatmirësisht buxheti kaloi, sepse forcat e ndërtimit janë më të shumta, në çdo shoqëri, edhe në shoqërinë më primitive. Saliut dhe miqve të tij të rinj u kanë ngelur ekzaktësisht 143 ditë nga dita e ndryshimit. Ndaj i ftoj të gjithë qytetarët që së pari të mendojnë seriozisht për ditën e ndryshimit, ndërsa Ilirit dhe Saliut të marrin një mësim qytetar. Të marrin një mësim qytetar jo vetëm këtu, në Tiranë, por edhe në Korçë, apo dhe në qytete të tjera, atje ku mbi 3 milionë shqiptarë, apo mbi 1 milion familje shqiptare u duhet të përballen me 2 familje, që kanë kaq vite që mbajnë peng politikën shqiptare”, - tha Veliaj.
5 Shkurt 2009