E Diel, 1 Nëntor 2026

Kongresmeni: Zgjidhje për Kosovën, shkëmbime territoresh

Një kongresmen republikan nga Kalifornia u shpreh për agjensinë e lajmeve Tanjug se po merret me synimin që serbët nga veriu i Kosovës ta fitojnë të drejtën për vetëvendosje dhe vlerësoi se zgjidhja më e mirë është shkëmbimi i territoreve, transmeton portali Shqipmedia. 

“Njerëzit kanë të drejtë të vendosin për fatin e tyre, dhe prandaj në fillim e mbështesja Kosovën. Ata nuk donin që të jenë pjesë e Serbisë. Tani autoritetet kosovare do të duhet ta pranojnë se serbët të cilët janë në kufirin me Serbinë, nuk duan të jenë pjesë e Kosovës” është shprehur Dana Rorabaker. 

Sipas tij, zgjidhja më e mirë është shkëmbimi i territoreve ku shumicë janë serbët, apo shqiptarët sipas rastit. 

“Nuk ka arsye që kjo të mos ndodhë sepse kjo është në interes të të gjithëve. Menjëherë pastaj me bisedime do të duhej të shqyrtohej çështja për kufij të hapur për tregti pa tarifa. Me këtë do të zvogëlohej armiqësia aktuale, do të inkurajohej bashkëpunimi ekonomik dhe kjo do të ishte një normalizim i vërtetë i marrëdhënieve”, vlerësoi ai në një intervistë për Tanjug. 

Në përfundimin se ky plan nuk ka mbështetje nga SHBA dhe BE, kongresmeni thotë se është i sigurt se serbët do të ishin pro kësaj marrëveshje, por për momentin po kundërshtojnë autoritetet në Kosovë. 

(ar.si/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›