E Diel, 1 Nëntor 2026

Kongresmeni amerikan: Durrës- Kukës, vendos Shqipërinë në top listën e rajonit

Kongresmeni amerikan Elliot Engel, ka vlerësuar projektin e rrugës Durrës-Kukës, ku ka veçuar faktin se ky projekt, do ta vendosë vendin tonë në top-listën e rajonit për pozicionin e rëndësishëm strategjik, që i jep Shqipërisë kjo rrugë. Lidhur me këtë arritje, kongresmeni Engel ka falënderuar popullin shqiptar dhe kryeministrin Berisha, që po bën të mundur këtë investim, pavarësisht kostos që ka. Mendoj se ky projekt është i mrekullueshëm dhe tregon për një vizion të jashtëzakonshëm. Kur kryeministri më tregonte për këtë, nuk e imagjinoja dot se sa bukur do të ishte. Dua të uroj popullin e Shqipërisë, kryeministrin dhe zyrtarët e qeverisë sepse mendoj se ky projekt është shumë i mirë dhe do ti sjellë Shqipërisë një të ardhme. Nga kjo rrugë nuk do të përfitojë vetëm Shqipëria por i gjithë rajoni. Do e bëjë Shqipërinë një qendër progresi në rajon, ka veçuar kongresmeni amerikan. Sipërmarrja e jashtëzakonshme dhe vizioni për të ardhmen, pasqyrohen më së miri në punën e madhe që duhet bërë për arritjen e këtij projekti, punëtorët, materialet si dhe logjistika e përdorur. Gjatë vizitës së tij në qytetin e Shkodrës, kongresmeni amerikan është takuar me prefektin e këtij qyteti, Maxhid Cungu dhe kreun e qarkut Gjovalin Kolombi. Në këtë takim, prefekti Cungu i ka bërë një përshkrim të detajuar të rajonit dhe në mënyrë të gjerë të vetë Shkodrës, për të cilën Engel kishte kujtimet më të mira që në vitin e largët 93. Shkodra ka resurse të jashtëzakonshme dhe natyra është treguar shumë bujare me këtë qytet. Në ato vite të fillimit, kam thënë se SHBA-ja do të ndihmojë Shqipërinë në hyrjen në NATO dhe për pavarësinë e Kosovës. Dhe tani, pas kaq shumë kohësh mund të them se edhe unë vetë nuk isha kaq i bindur për atë që kam deklaruar. Sot mbas 16-të vitesh vërej se kisha të drejtë dhe çdo gjë është realizuar Shqipërisë dhe po ashtu edh pavarësia e Kosovës, vlerësoi kongresmeni Engel. Ndërsa nga ana e tij, prefekti i Shkodrës, Cungu ka shprehur falënderimet e tij për dy arritjet e shqiptarëve, pavarësia e Kosovës dhe hyrjen e Shqipërisë në NATO,  ku një rol të madh ka luajtur jo vetëm shteti amerikan, por edhe vetë Engel si një nga lobuesit më të mëdhenj në Kongresin Amerikan. Më pas vizita në prefekturë ka vazhduar me dyer të mbyllura, por mësohet se në takim është folur dhe për zgjedhjet e 28 qershorit dhe plotësimi i standardeve demokratike, pikërisht në këto zgjedhje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›