E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konkurrenca: KESH të ndahet në dysh

SHKRUAN: Blerina Hoxha 05-03-2011 10:56

Për të siguruar një konkurrencë të ndershme në tregun e shitjes dhe blerjes së energjisë ne vend, Autoriteti i Konkurrencës i ka rekomanduar në një vendim të fundit Entit Rregullator të Energjisë dhe Ministrisë së Energjetikës ndarjen e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) në dy pjesë në Furnizuesin Publik me Shumicë dhe në KESH gjenerim.

“Komisioni i Konkurrencës i ka rekomanduar Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Entit Rregullator të Energjisë Elektrike “ndarjen funksionale dhe financiare reale të “Furnizuesit Publik me Shumicë” nga KESH-Gen, e cila do të krijojë kushtet për konkurrencë në këtë nivel tregu për të gjithë të interesuarit, furnizuesit e Kualifikuar për të kryer transaksione konkurruese dhe është në zbatim të modelit të tregut”, thuhet në vendimin e këtyre ditëve të AK, drejtuar ERE. Autoriteti i Konkurrencës ka sqaruar se ka marrë këtë vendim për rekomandime, pasi ka monitoruar gjatë viteve të fundit funksionimin e tregut të prodhimit dhe tregtimit të energjisë elektrike, për të vlerësuar kufizimet e mundshme të konkurrencës së lirë dhe efektive në treg, duke ndjekur me kujdes zhvillimet në tregun e energjisë. Komisioni i Autoritetit të Konkurrencës ka vendosur t’i rekomandojë Entit Rregullator të Energjisë ndërmarrjen e hapave të nevojshëm, për konsolidimin dhe hapjen reale të tregut të energjisë elektrike, në përputhje me direktivat europiane dhe kërkesat e Sekretariatit për Energjinë për Europën Juglindore, për të siguruar një treg të energjisë funksional dhe që ofron produktin e mjaftueshëm dhe shërbimin më të mirë, në çmimet më të lira të mundshme për konsumatorët. Si konkluzion, nga shqyrtimi i draft-rregullores së procedurave të blerjes së energjisë elektrike nga KESH sh.a, të energjisë elektrike nga tregtarët vendas dhe të huaj, dhe në vijim të vendimeve rekomanduese të Komisionit të Konkurrencës, duhet të nxitet konkurrenca në këtë segment tregu, siç përcakton edhe modeli shqiptar i tregut të energjisë elektrike. Për këto arsye, Autoriteti i Konkurrencës kërkon domosdoshmërisht ndarjen e KESH në dy kompani të veçanta, prodhim dhe shitje me shumicë. Këto dy ndërmarrje, sipas AK, duhet të kenë drejtim menaxhim të pavarur dhe bilance të pavarura. Modeli shqiptar i Tregut të Energjisë Elektrike është hartuar në zbatim të Direktivave të Bashkimit Europian për energjinë elektrike, si dhe të kërkesave të Traktatit të Komunitetit të Energjisë të vendeve të Europës Juglindore, dokument ky i ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2006. Struktura e mëparshme, e quajtur Modeli Tranzitor i Tregut të Energjisë Elektrike, gjatë procesit të zbatimit në praktikë, evidentoi nevojën e përditësimit te tij. Struktura e re, e quajtur Modeli Shqiptar i Tregut të Energjisë Elektrike, parashikon zhvillimin mbi baza me të konsoliduara të tregut te energjisë elektrike dhe përputhshmëri më të plotë me Direktivat e Bashkimit Europian.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›