E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertët ndërkombëtarë: Qeveria të bëjë presion për të drejtën e autorit

SHKRUAN: Sabina Veizaj 05-03-2011 10:54

Nëqoftëse në një holl hoteli, të çfarëdo qyteti të botës, do të vendoset një CD me këngë, pronari i hotelit do të paguajë të drejtën e autorit për prodhimin, tekstin, muzikën. E njëjta gjë ndodh edhe për pubet, diskotekat e baret e qyteteve jashtë kufijve shqiptarë. Kjo ka të bëjë me mbrojtjen dhe ushtrimin e të drejtës së autorit, pjesë e familjes së madhe të pronësisë intelektuale. Ushtrimi i të drejtës së autorit rregullohet me ligj dhe mbështetet, si në konventën e të drejtave të njeriut dhe traktatet e të drejtave të autorit, nëpërmjet agjencive që menaxhojnë këtë drejtë në mënyrë kolektive. Ndërsa në Shqipëri, prodhuesit e muzikës mund ta dëgjojnë veten ngado nëpër holle hotelesh, pube, bare e diskoteka dhe askush nuk rreket të mbrojë dhe ushtrojë të drejtat e tyre, pavarësisht se ligji për të drejtën e autorit ekziston në vendin tonë dhe është miratuar në vitin 2005. Por ky fenomen, në vendin tonë ndodh edhe me prodhimet e huaja. Për këtë qëllim, Bashkimi Europian (BE) ka financuar një projekt për të nxitur, zhvilluar dhe ushtruar të drejtën e autorit në Shqipëri në kuadër të përqasjes së standardeve me BE-në. Duke iu referuar këtij projekti, dy ekspertë ligjorë të organizatës botërore të pronësisë intelektuale Dr. Mihai’ly Ficsor dhe Dr. Pa`l Tomori, hungarezë organizuan një trajnim me Agjencitë e Mbrojtjes së të Drejtave të Autorit në Shqipëri. Sipas Dr. Miha`ly Ficsor, President i Këshillit të së Drejtës së Autorit në Hungari dhe përfaqësues i Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale, i cili foli për “MAPO”, në lidhje me trajnimin e përfaqësuesve të agjencive të menaxhimit kolektiv të të drejtave të autorit ka si qëllim mirëfunksionimin e këtyre agjencive dhe gjithashtu edhe në ndihmën konkrete, për hartimin e ligjit të ri të së drejtës së autorit. “Duhen 3-4 kushte që të funksionojë sistemi i të drejtës së autorit. Elementi i parë është të funksionojë struktura qeveritare. Zyra e të drejtave të autorit ekziston në Shqipëri dhe ka njerëz entuziastë që punojnë mirë. Aspekti i dytë është ligji. Ai është miratuar në 2005, por nuk është i plotë. Por ligji i ri që do të jetë gati në vjeshtë do të jetë i shkëlqyer. Ne me asistencën tonë garantojmë që dispozitat ligjore të jenë të shkëlqyera, por edhe kjo nuk mjafton. Ajo që është e rëndësishme është ushtrimi i të drejtave. Ushtrimi është individual, por kategori të caktuara bëhen vetëm nëpërmjet agjencive. Në Shqipëri ekzistojnë tre agjenci të tilla të licencuara. Alba Autor, për të drejtën e autorit në fushën e të shkruarit, A.G.D.I.E që mbron të drejtën e artistëve dhe AMI, që mbron të drejtën e prodhuesve të fonogramit.”- u shpreh Dr. Ficsor. Por ai sqaroi se, edhe pse ekzistojnë si struktura, ato kanë nevojë për përmirësime, prandaj duhet mbështetje nga struktura qeveritare. Ndërsa, Pal Tomori, Kryetar i Komitetit të Ekspertëve Ligjorë për të drejtat e autorit në Hungari thekson për MAPO se menaxhimi kolektiv nënvizohet dhe e ka treguar veten si përdoruese masive e të drejtave. “Çdo ushtrim individual i të drejtave të autorit do ishte me shumë shpenzime, jo efikas dhe i pamundur. Sidomos janë disa të drejta që ushtrohen vetëm kolektivisht“, - tha Dr. Tomori. Ai vërejti se përcjellja në publik e veprave të artistëve dhe autorëve, komunikimi në publik i fonogrameve tregtare bëhet vetëm nëpërmjet agjencive që mbrojnë dhe ushtrojnë të drejtat e autorit. “Pak ditë më parë, në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit pamë shfaqjen ‘Boriana’. Ishte shumë e bukur. Ndërkohë ajo po regjistrohej për t’u shfaqur në TV. Por nuk jemi të sigurt nëqoftëse kompozitori dhe artistët e kishin dhënë të drejtën e transmetimit të spektaklit dhe nëqoftëse po, a ishte e zbatueshme dhe a ishin paguar ata në mënyrën e duhur? Është një fatkeqësi që produkti i huaj dhe vendas nuk mbrohet”, - u shpreh Dr. Tomori. Të dy ekspertët ndërkombëtarë theksuan për MAPO se në Shqipëri nuk zbatohet e drejta e autorit. Ata vërejtën se e vetmja mënyrë është menaxhimi kolektiv. “Është e pamundur që një artist ta bëjë këtë individualisht. Kjo nuk është në dëshirë të Shqipërisë, t’i zbatojë parimet apo jo. Do të skadojë edhe durimi i BE-së. Shqipëria është pjesë e Organizatës Botërore të Tregtisë së Lirë e për rrjedhojë do të ketë edhe sanksione. Do të ndalohet të eksportojë edhe prodhimet bujqësore. Menaxhimi kolektiv I të drejtës së autorit nuk është i rëndësishëm vetëm se vjen në kuadër të standartizimit me BE-në, por ndikon mbi të gjitha në nxitjen e zhvillimin e krijuesëve”, - u shpreh Dr. Ficsor. Sipas dy ekspertëve ndërkombëtarë në fushën e të drejtave të autorit problemi qëndron në informimin e publikut. Sipas tyre, qytetarët nuk e konceptojnë dot që të paguajnë kur pasi e blejnë një CD e transmetojnë në hollin e një hoteli, në bar, etj. Ata thanë se pagesa është obligim sipas traktateve. Dr. Fiscor dhe Dr. Tomori duke iu referuar nenit 27 pika 2 e konventës së të drejtave të njeriut sqaruan se parimi është I njëjtë në të gjithë botën; detyrim për të paguar. “Nga pikëpamja praktike është e thjeshtë. Mjafton t’i drejtohesh agjencive si burim i vetëm i mbrojtjes së të drejtave të autorit. Sistemi funksionon në mënyrë shumë të thjeshtë. Përdoruesi paguan vetëm agjencinë. Pastaj është totalisht përgjegjësi e agjencisë të mbrojë të drejtat dhe të shpërndajë paratë. Zyra Shqiptare për të Drejtat e Autorit kontrollon më pas agjencinë. Tarifat që aplikohen janë ato që aplikohen në vendet e tjera. Nëqoftëse në Hungari një Tv paguan 4 % nga të ardhurat e reklamave edhe në Shqipëri të paguhet 4 % e të ardhurave. Pra, parimi është i njëjtë”, - thanë ata. Ekspertët ndërkombëtarë gjykojnë se qeveria duhet të nxisë duke informuar, ndërgjegjësuar dhe sanksionuar mosushtruesit e të drejtës së autorit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›