Nako: Gjykatat po shkelin ligjin me kolateralet e bankave
Gjykatat shpesh-herë shkelin hapur ligjin, në rastet e ekzekutimit të kolateralit. Sokol Nako, jurist dhe ekspert i së drejtës tregtare, thotë se gjykatat jo vetëm që nuk mbajnë parasysh rrethanat e veçanta të bankave, si institucione që punojnë me depozitat e publikut të gjerë, por dëmtojnë sistemin bankar, duke shkelur ligjin, deri në nivel procedurash. Nako thotë se ky problem duhet të ndiqet me përparësi urgjente nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, sepse shkeljet e ligjit nga gjykatat cenojnë direkt interesat e një sektori jetik në ekonominë e vendit. Zvarritjet në procedurat e ekzekutimit të kolateralit, po ju shkaktojnë dëme të rëndësishme ekonomike bankave tregtare. Muajt e fundit, ky është bërë shqetësimi kryesor për sistemin bankar, që po kërkon njëzëri vëmendjen e institucioneve që mbikëqyrin funksionimin e organeve të drejtësisë. Kredia e humbur përfundimisht në sistemin bankar arriti në fund të vitit 2010 rreth 200 milionë dollarë. Pjesa më e madhe në këto humbje i takon moskthimit të kredisë nga bizneset, për shkak se ata zotërojnë edhe pjesën më të madhe të kredisë së dhënë nga bankat. Në përqindje, kredia e keqe në fund të vitit që shkoi, rreth 14 për qind, sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave. Cilësia e kredisë vijon të jetë rreziku kryesor, i cili i kanoset bankave në vendin tonët.