Task Force për disiplinimin e aktivitetit minerar në Bulqizë
Disiplinimi i aktivitetit minerar në zonën e Bulqizës, përmes miratimit të një Plan Veprimi, është kthyer në objektin e një urdhri të firmosur së fundmi nga katër ministri. Këtë e bëri të ditur dje, Ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, i cili u shpreh se urdhri vjen si reagim për situatën problematike të konstatuar kohët e fundit në zonën minerare të Bulqizës. “Gjatë javëve dhe muajve të fundit kemi pasur në Bulqizë një situatë jo normale të aktivitetit minerar. Aktivitet në zona të rrezikshme, në disa raste aktivitet të kompanive të palicencuara, pra aktivitet të jashtëligjshëm minerar, dhe në disa raste është konstatuar se nëpër miniera punojnë persona nën moshën e punës. Pra, një situatë problematike ndaj së cilës unë dhe tre ministra të tjerë kemi reaguar, për të vendosur rregull, me një urdhër të përbashkët të firmosur nga të gjithë ne”, u shpreh ministri. Ai theksoi se rregullimi i aktivitetit në zonën minerare të Bulqizës do të bëhet përmes një Task Force që do të ngrihet nga bashkëpunimi ndërinstitucional. Prifti lajmëroi për një vizitë në Bulqizë ditën e enjte, për të zhvilluar edhe mbledhjen me Task Forcën, dhe për të vënë në zbatim Planin e Veprimit.