E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Zgjidhja e krizës në vullnetin e partive,Xhafaj: Gjashtë kushtet për të ndërprerë grevën



ADI SHKEMBI

Presidenti Bamir Topi tha dje se është i gatshëm për të vendosur dialogun, por shtoi se gjithçka është në dorën e partive politike. Deklarata e kreut të shtetit vjen pak ditë pas takimeve që ai pati me zv.kryeministrin Ilir Meta si dhe Ambasadorët e SHBA-së, KE-së dhe Spanjës në vendin tonë. Duke folur në përfundim të ceremonisë së dekorimit të Havzi Nelës, Vilson Blloshmit, Genc Lekës dhe Myzafer Pikës, Topi tha se “Presidenti ka vullnetin, ka predispozicionin, ka dëshirën që të vendoset dialogu, të rifillojë komunikimi institucional. Presidenti nuk ka në dorë asnjë instrument ligjor që të detyrojë palët. Kjo ka qenë arsyeja që në mënyrë të vazhdueshme, unë kam thënë: ‘gjithçka varet nga vullneti politik i partive’. Shqipëria nuk është një republikë presidenciale. Ju duhet ta dini! Shqipëria është një republikë parlamentare. çdo gjë projektohet sipas vullnetit të popullit, projektohet në Parlament”. Për të vënë theksin te rëndësia që ka dialogu mes dy forcave të mëdha politike, Presidenti solli në vëmendjen e publikut ndryshimet kushtetuese të miratuara dy vjet më parë. “është vullneti i tyre për të instaluar dialogun, për të marrë vendime të rëndësishme dhe mos harroni që në harkun kohor dhe jo në retrospektivë të largët, partitë politike shqiptare mund t’i referohem datës 21 prill 2008, kur kanë gjetur një konsensus që unë e kam përgëzuar, me votat e 115 deputetëve, kur kanë ndryshuar Kushtetutën e Shqipërisë”, tha më tej kreu i shtetit.
Tryeza
Presidenti vlerësoi në të njëjtën kohë se tryeza mund të mblidhet në rast se palët kanë rënë dakord më parë për zgjidhjen e krizës. Sipas Topit, tryeza, si ajo e muajit shkurt, nuk mund të mblidhet më nëse nuk gjendet zgjidhja. “Tryeza e Presidentit mund të riinstalohet në çdo kohë, por tryezë që të jetë me rezultate, jo tryeza për tryezë, që të fillojë t’i bjerë dhe vlera. Pra, duhet të kemi respekt jo thjesht për individin, individi është pjesëtar i shoqërisë. Sot është President, nesër është një qytetar i thjeshtë i Shqipërisë, por duhet të kenë respekt për tryezën e Presidentit, për institucionin e Presidentit, për çdo institucion të Shqipërisë, në mënyrë që edhe bota të na ketë më në konsideratë”. Nga pozitat e kreut të shtetit, Topi i bëri edhe njëherë thirrje klasës politike që të punojë për zgjidhjen e krizës. Sipas tij, shumica e qytetarëve janë të mërzitur nga politika, por jo të dënohen prej saj. “Ka shumë qytetarë, të cilët nuk merren me politikë. Ka shumë qytetarë që janë mërzitur nga politika, por kjo nuk do të thotë që qytetarët shqiptarë, që edhe s’merren me politikë, që s’kanë dëshirë të merren me politikë, të dënohen nga politika”, u shpreh Topi.

Bosch: Duhet zgjidhje
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, tha dje se dialogu i nisur mes forcave politike do të ketë një përfundim. “Anketimi nuk mbështetet më në mendimin e BE. Komisioneri Fule ka thënë atë që duhet. Dera gjithmonë duhet të rrijë e hapur dhe të ketë gjithmonë dialog. Përsëris atë që tha zoti Lohan: Rruga për në Evropë ka qenë e gjatë dhe mos e zgjasni dhe më shumë seç duhet. Mesazhi im është që të dy palët të arrijnë në marrëveshje, nuk përfaqësoj BE-në, por ashtu siç BE ka thënë, është e rëndësishme që të dy palët të arrijnë një zgjidhje, sepse tashmë kohës po i vjen fundi. Me aq sa di, ka një dialog dhe besoj se diçka do të ndodhë”, tha Borsh.

Xhafaj: Gjashtë kushtet për të ndërprerë grevën

Aristir Lumezi

Grevistët e urisë shpallën dje pas një jave kushtet e tyre për të dalë prej saj. Kreu i grupit organizator të grevës, deputeti Fatmir Xhafaj, lexoi dje pasdite para nisjes së mitingut të protestës, gjashtë pikat e kërkesës së tyre, realizimi i të cilave do të shënojë edhe dhënien fund të grevës së tyre. Xhafaj shprehu vendosmërinë e opozitës për të çuar deri në fund kauzën për transparencë. Sipas tij, protesta do të ndalet vetëm kur të garantohet angazhimi maksimal i palëve për transparencën e plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit. Socialistët shprehen të gatshëm të negociojnë me maxhorancën për kutitë deri në atë pikë që nuk do të cenonte rezultatin e zgjedhjeve. “Transparenca e pakushtëzuar, përmes hetimit të plotë parlamentar të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, duke nisur nga kutitë – jo për efekt të ndryshimit të rezultatit, po për efekt të nxjerrjes së problemeve e përgjegjësive në zbatimin e ligjit gjatë procesit zgjedhor – dhe duke e shtrirë rrezen e hetimit mbi të gjithë problematikën e vënies së shtetit në shërbim të pushtetit për qëllime elektorale, duke qenë të hapur për të pranuar lidhur me qasjen ndaj kutive çdo zgjidhje të negociuar, që garanton transparencën pa sfiduar tërësinë e rezultatit të zgjedhjeve”, është kërkesa e parë e grevistëve dhe e PS-së, duke dhënë kështu një ofertë daljeje nga kriza. Socialistët në kërkesat e tyre kërkojnë një rishikim të funksionimit të Parlamentit, duke nisur që nga ekuilibrimi në përfaqësimin e komisioneve parlamentare, por edhe kufizim të imunitetit të personave nën akuzë për korrupsion. “Transparenca në funksionimin e Kuvendit, me qëllim garantimin e kontrollit kushtetues ndaj Qeverisë, përfaqësimin e ekuilibruar të shumicës dhe të opozitës në drejtimin e komisioneve të përhershme parlamentare dhe delegacionet parlamentare, kufizimin e imunitetit ndaj akuzave për korrupsion dhe arritjen e konsensusit për miratimin e një sërë ligjeve të rëndësishme të sistemit të drejtësisë”, shprehen grevistët. Një nga kushtet e grevistëve për të ndërprerë grevën e tyre është edhe procedura e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese. Për këtë socialistët kërkojnë konsensus parlamentar dhe jo shumicë të thjeshtë kartonësh. “Transparenca në përzgjedhjen e kandidaturave për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, për të mundësuar miratimin me konsensus parlamentar të kandidaturave të zgjedhura, bazuar në kritere të meritës dhe profesionalizmit e jashtë ndikimeve politike si domosdoshmëri për qëndrueshmërinë e këtyre institucioneve kushtetuese dhe si kusht për arritjen e konsensusit për reforma e ligje të rëndësishme, që kanë të bëjnë me forcimin e shtetit të së drejtës”, shprehen në kërkesat e tyre 200 grevistët e PS-së. Sipas tyre, plotësimi i këtyre kërkesave me interes publik e kombëtar dhe aspak partiak apo në favor të një pale kundër një tjetre, do t’i kthejë vendit normalitetin e munguar politik e institucional dhe do të përshpejtojë procesin e demokratizimit e të integrimit evropian të vendit.

Në grevë jetohet me ujë e shpresë

Këngëtarja Elsa Lila, e cila iu bashkua grevës së urisë së opozitës, foli dje dy ditë pasi vendosi që edhe ajo të privohet nga ushqimi. Në emisionin “Shqip” të Rudina Xhungës, Lila tha se ndihet mirë mes grevistëve të tjerë. Ajo tha se ata jetojnë vetëm me ujë dhe me shpresë. “Në 48 orët e mia këtu shoh që kjo është një grevë e vërtetë. Njerëzit jetojnë vetëm me ujë dhe me shpresë”, tha Lila. Këngëtarja u shpreh më tej se e vlerëson si tepër të rëndësishëm procesin e transparencës. Ajo tha se Shqipëria duhet të ketë gjerat më minimale që ka çdo vend tjetër. “Ashtu si gjithë të tjerët edhe unë kërkoj gjërat më minimale në këtë vend. Të ketë punë, të ketë liri, të ketë bukë”, tha këngëtarja. Elsa Lila iu bashkua grevës së urisë ditën e diel, më 9 maj, kur opozita protestoi para Kryeministrisë në ditën e Evropës.

Kushtet e grevistëve

• Transparenca e pakushtëzuar, përmes hetimit të plotë parlamentar të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, duke nisur nga kutitë – jo për efekt të ndryshimit të rezultatit, po për efekt të nxjerrjes së problemeve e përgjegjësive në zbatimin e ligjit gjatë procesit zgjedhor – dhe duke e shtrirë rrezen e hetimit mbi të gjithë problematikën e vënies së shtetit në shërbim të pushtetit për qëllime elektorale, duke qenë të hapur për të pranuar lidhur me qasjen ndaj kutive çdo zgjidhje të negociuar që garanton transparencën pa sfiduar tërësinë e rezultatit të zgjedhjeve.
• Transparenca në funksionimin e Kuvendit me qëllim garantimin e kontrollit kushtetues ndaj Qeverisë, përfaqësimin e ekuilibruar të shumicës dhe të opozitës në drejtimin e komisioneve të përhershme parlamentare dhe delegacionet parlamentare, kufizimin e imunitetit ndaj akuzave për korrupsion dhe arritjen e konsensusit për miratimin e një sërë ligjeve të rëndësishme të sistemit të drejtësisë.
• Transparenca e shifrave të ekonomisë dhe dhënia fund e praktikave të kundërligjshme e të rrezikshme të dizinformimit dhe manipulimit të publikut me shifra të deformuara për qëllime politike, që nuk reflektojnë realitetin e ekonomisë shqiptare.
• Transparenca në funksionimin e Këshillit Kombëtar të Radio Televizioneve dhe të Radio Televizionit Shqiptar, përmes miratimit me konsensus të një kuadri të ligjor dhe rregullator të standardeve të Bashkimit Evropian si edhe pranimit të një ekuilibri të ri në bordet përkatëse të tyre.
• Transparenca në përzgjedhjen e kandidaturave për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, për të mundësuar miratimin me konsensus parlamentar të kandidaturave të zgjedhura, bazuar në kritere të meritës dhe profesionalizmit e jashtë ndikimeve politike si domosdoshmëri për qëndrueshmërinë e këtyre institucioneve kushtetuese dhe si kusht për arritjen e konsensusit për reforma e ligje të rëndësishme, që kanë të bëjnë me forcimin e shtetit të së drejtës.
• Transparenca mbi hetimin e vrasjes së deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, që do të garantonte zbardhjen e menjëhershme dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të vrasjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›