E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Firmëtarët, si shoqata e Enverit



Aristir Lumezi

"Nëse nuk kemi asnjë reagim deri në 14 maj, do të përshkallëzojmë protestat". Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha dje gjatë fjalës së tij në protestën e radhës të opozitës në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", kushtet e deklaruara nga deputetët e qytetarët grevistë, përmbushja e të cilave do t'i japë fund grevës së urisë dhe krizës politike që ka mbërthyer vendin. "Nesër, të mërkurën, të enjten dhe të premten të jemi edhe më shumë. 14 maj, dy javë rezistencë, ndërsa do të jenë 2 javë shurdhëri, do të jetë dita e një përshkallëzimi. Të premten do të tregojmë se çdo të thotë se vetëm mbi trupat tanë mund të kalojnë ata që duan të instalojnë regjimin e frikës dhe të votës së vjedhur", tha Rama përpara mbështetësve të mbledhur në bulevard. Ai iu përgjigj dhe intelektualëve e artistëve që i kërkojnë atij mospendimin e integrimit të vendit, duke thënë se ndjen për ta keqardhje. "Dua t'u them atyre që mund të mos e kishin firmosur atë palo letër. Jo të gjithë e duan lirinë, jo të gjithë e duan me të vërtetë demokracinë, atë ku secili gjen vendin e punës sipas asaj që vlen dhe jo kur pushteti u gjen punën në varësi të asaj që shërben. Nuk kam asgjë tjetër përveç keqardhjes, për të tjerat historia ka gjykuar dhe do të gjykojë. Këto firma, që rrjedhin në ekranet e televizorëve, më kujtojnë firmat që mblidheshin nga njerëz të quajtur 'Shoqatat e Enverit'. Në dhjetor të vitit 1990, në janar të viti 1991, në shkurt të vitit 1991, e kështu me radhë derisa firmëtarët e zellshëm të realizmit socialist kaluan dalëngadalë në anën tjetër. Dhe harruan Enverin për të përqafuar Saliun. Mirëpo ajo që mua më trishton më shumë është se në atë kohë firmat i kërkonte 'Shoqata e Enverit', sot i kërkon Qeveria e Saliut", u shpreh Rama, ndërsa përmendi arsyet që e detyruan opozitën të zgjidhte grevën e urisë "për të sjellë këtu Evropën, duke hedhur hapin në kushtet e rrezikut".
Grevistët
Gjendja shëndetësore e grevistëve të urisë dje shënoi një stad të ri. Në ditën e dhjetë të kësaj greve, pesë grevistë u transportuan me autoambulanca në spitalin "Nënë Tereza", pas komplikacioneve që u shfaqën me shëndetin e tyre. Rreth orës 13: 35 minuta deputeti grevist, Besnik Bare, u nxor me barelë nga greva për t'u dërguar në spital. Më parë ishte 25-vjeçari Bujar Neziri, Lekë Njeza, Saimir Gura dhe Andi Hajdari, që kanë lënë çadrën e grevës së urisë dhe janë transportuar në spital për shkak të rëndimit të gjendjes së tyre.

Spartak Ngjela
Kreu i PLD-së, Spartak Ngjela, deklaroi dje se rruga e ndjekur nga opozitarët është rruga që do t'i çojë ata drejt qëllimit final. Duke folur për gjendjen e grevistëve, Ngjela u shpreh se ata kanë nevojë për humanizëm në rrugën e lirisë. "Ka ardhur koha të mblidhemi të gjithë t'i japim shoqërisë vlerën e madhe të humanizmit, greva e urisë do humanizëm, qeshin me grevën e urisë, le të qeshin me të, po do ta shikojnë si do të përfundojnë. Këta janë njerëz që adhurojnë lirinë dhe do t'i mbështesim deri në fund", u shpreh Ngjela. Sipas tij, opozita është në rrugë të drejtë.

Taulant Balla
Taulant Balla i kërkoi Kryeministrit të mos bëjë presion ndaj mjekëve. Duke ju referuar deklaratës së sotme të Kryeministrit Berisha, deputeti Taulant Balla i bëri thirrje kreut të Qeverisë të heqë dorë nga presionet ndaj mjekëve që u shërbejnë grevistëve. "Dua t'i them dy fjalë kavalierit. Të dëgjuam sot tek u përpoqe t'u bëje presion mjekëve që na mbajnë gjallë, këta mjekë të nderuar nuk tremben nga kërcënimet tua, sepse këta janë këtu për t'i shërbyer misionit tonë", u shpreh Balla, duke theksuar se aksioni i opozitës mbaron kur "Shqipërisë t'i rikthehet demokracia".

Marko Pennella
Politikani italian, Marko Pannella, kryetari i Partisë Radikale në Itali dhe anëtar i Parlamentit Evropian, vizitoi dje kampin e grevistëve të vendosur në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit". "Për këtë kam ardhur këtu, ku shokët e mi, admirueshëm po bëjnë në këtë anë të Adriatikut, të Adriatikut tim dhe tuajit, atë që në Itali e në botë bëjmë edhe ne. Këtu është shpresa për unitetin civil demokratik, për një unitet njerëzor dhe demokratik për të gjithë ne, nga njëra anë e Adriatikut, por edhe për ata nga ana tjetër e botës.. Këtu është shpresa për unitetin civil demokratik. Për një unitet njerëzor dhe demokratik për të gjithë ne", u shpreh Pannella.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›