E Diel, 1 Nëntor 2026

Konkurrenca në tregun bankar, në vitin 2007 u ndryshuan 53 drejtorë bankash



Numri i madh i bankave private në vendin tonë ka bërë që midis tyre të rritet tepër edhe konkurrenca në drejtim të zbatimit të produkteve dhe shërbimeve të reja bankare, në shërbim të klientëve. Sipas Bankës së Shqipërisë, në sistemin bankar shqiptar 11 prej bankave përdorin transaksionet në rrugë elektronike, sipas produkteve të ndryshme. Ajo që u vu re gjatë vitit 2007 është shtrirja e shërbimit të internet banking edhe në 3 banka të tjera të sistemit. Dëshmi e rritjes së konkurrencës bankare, si dhe e rritjes së vëllimit të transaksioneve financiare nëpërmjet bankave, ishte zgjerimi i konsiderueshëm që pësoi rrjeti bankar, me degë dhe agjenci të reja. Numri i degëve dhe agjencive të hapura gjatë vitit 2007, brenda territorit të vendit arriti në 104, nga të cilat vetëm 43 në rrethin e Tiranës. Gjithashtu BSH-ja ka miratuar ndryshime në përbërjen e administratorëve të bankave. Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri "Për bankat në Republikën e Shqipërisë", BSH-ja miratoi edhe drejtuesin e njësisë së kontrollit të brendshëm të bankës. Gjatë vitit 2007, BSH-ja ka miratuar rreth 53 administratorë bankash. Miratimet e administratorëve klasifikohen në katër kategori: administratorë që u paraqitën për herë të parë për miratim (të rinj), administratorë që ndryshuan pozicion brenda të njëjtës bankë, administratorë që u përfshinë në dy funksione drejtuese, brenda të njëjtës bankë dhe administratorë që ndryshuan pozicionin, duke lëvizur nga një bankë në tjetrën. Këto elemente janë hedhur në raportin e mbikëqyrjes bankare për vitin 2007, hartuar nga BSH-ja.

Bode: “Projektbuxheti i 2009-s, realist dhe me marzhe sigurie”

Ministri i Financave, Ridvan Bode, prezantoi dje në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave projektbuxhetin e shtetit për vitin 2009. Ai e konsideroi atë si realist dhe me marzhe të mjaftueshme sigurie. "Projektbuxheti merr në konsideratë zhvillimet dhe ecurinë e ekonomisë shqiptarë në vitet e fundit, por dhe ato në tregun e jashtëm, në kuadrin e disa ndryshimeve që ka patur ekonomia botërore për shkak të krizës së sistemit financiar". Sipas kreut të financave publike, “ne mbetemi një vend me një stabilitet të qëndrueshëm makroekonomik, përsa i takon rritjes ekonomike, nivelit të inflacionit, kursit të këmbimit, bilanceve të tjera që kanë të bëjnë me tregtinë ndërkombëtare dhe nivelit të papunësisë". Ministri Bode tha se, të ardhurat në buxhetin e shtetit për vitin 2009 janë parashikuar në 333 miliard lekë, duke shënuar nivelin më të madh historik, sa dyfishi i të ardhurave në vitin 2004, ndërsa shpenzimet llogariten 383 miliard lekë rritje në total të tyre. Sipas tij, rritja e nivelit të shpenzimeve për investime erdhi për shkak të programimit më të mirë dhe kapaciteteve të ministrive për investime dhe rritjes së të ardhurave të buxhetit. Ministri Bode, duke u ndalur në reformat e parashikuara për vitin 2009, tha se arsimi dhe shëndetësia do të jenë dy sektorët kryesore tek të cilët do të përqendrohet edhe vëmendja jonë.

Fondet e spitaleve kalojnë në administrimin e ISKSH-së

Fondet spitalore do të kalojnë nën administrimin e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Sipas ministrit të Financave, Ridvan Bode, në projektbuxhetin e shtetit për vitin 2009 është parashikuar të ndërmerret reformë në sektorin e shëndetësisë, ku për herë të parë spitalet lidhen drejtpërdrejt me produktet që do të ofrojnë, pra me shërbimet ndaj klientit. "Ne kemi kaluar fondet e të gjitha spitaleve nën administrimin dhe ndjekjen dhe ekzekutimin e ISKSH -së", - tha Bode. Sipas tij, reforma në Shëndetësi duhet të ndërmerret jo më vonë se fillimi i vitit të ardhshëm dhe synon që gjithë produktet e ofruara dhe shërbimet nga rrjeti spitalor të jenë produkte të blera nga ISKSH-ja. "Kjo synon një pavarësi më të madhe të përdorimit të fondeve nga vetë spitalet, nga vetë shërbimi spitalor në të gjitha nivelet", - nënvizoi Bode. Sipas tij, "kjo përbën instrumentin bazë të përmbysjes së gjendjes aktuale në sektorin e shëndetësisë, gjendje e cila nuk është përmirësuar siç pritej edhe pse fondet janë rritur ndjeshëm në 3 vitet e fundit".

8 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›