E Diel, 1 Nëntor 2026

Siguria për kartëmonedhat, BSH-ja ndryshon konfigurimin e prerjes 1000 lekëshe



Duke filluar nga 14 nëntor 2008, kartëmonedha e prerjes 1000 Lekë, emetim i vitit 2007, do të përdoret si mjet pagese paralelisht me të gjitha kartëmonedhat ekzistuese në qarkullim të kësaj prerjeje, të emisioneve të mëparshme. Në mbështetje të Ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, me Vendimin nr. 59, datë 26.07.2006, miratoi rishtypjen e kartëmonedhës shqiptare të prerjes 1000 Lekë, emetim i vitit 2001. Në zbatim të këtij vendimi, BSH-ja njofton publikun shqiptar se në datën 14 nëntor do të hidhet në qarkullim kartëmonedha e prerjes 1000 Lekë, me elemente dhe standarde të reja sigurie. Ky vendim i marrë në vitin 2006 është në përputhje me programet e mëhershme të BSH-së dhe ka si qëllim, modernizimin kartëmonedhës së prerjes 1000 Lekë, sipas standardeve më të mira të arritura në fushën e emisionit të parasë. Kartëmonedha e re ka në përbërjen e saj të gjitha elementet bashkëkohore të sigurisë, që përdoren sot në këtë fushë. Hedhja në qarkullim e kësaj kartëmonedhe i shërben përmirësimit të cilësisë së parasë në qarkullim. Gradualisht do të tërhiqen nga qarkullimi kartëmonedhat e dëmtuara duke u zëvendësuar me kartëmonedha të reja. Kartëmonedha e re ka të njëjtat pamje dhe përmasa me kartëmonedhën e prerjes 1000 Lekë, emetim i vitit 2001. Por, ndryshe nga emetimi i mëparshëm, ajo do të ketë përforcime të disa elementeve të sigurisë si dhe përmirësime të qëndrueshmërisë ndaj dëmtimit. Më konkretisht, në kartëmonedhën e re ndryshojnë elementet e mëposhtme:
1. firma e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe e Drejtorit të Emisionit; 2. viti në trupin e saj do të jetë 2007; 3. shtohet elementi i qosheve të përforcuara; 4. rritet gjerësia e fillit të sigurisë; 5. relievi i kartëmonedhës është më i ndjeshëm në prekje, sidomos tek pjesa e teksteve dhe numrave; 6. kartëmonedha është llakuar për ta mbrojtur nga lagështia.

8 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›