E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbyllen procedurat me Turqinë për kurimin e pacientëve jashtë vendit

Plotësohet numri, nga tetori spitalet turke nuk pranojnë më pacientë shqiptarë

Emanuela Sako

Turqia mbyll procedurat për kurimin e pacientëve në spitalet e tyre për këtë vit. Shkak është bërë plotësimi i kuotave të pranimit të vendosura nga pala turke dhe për më tepër këtë vit nuk ka pasur shtesa mbi normën e lejuar, siç ka ndodhur vitet e shkuara. Burime nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë të ditur se duke nisur që nga fillimi i muajit tetor, asnjë pacient shqiptar nuk ka të drejtë të kurohet në spitalet turke, sipas marrëveshjes së bërë mes dy vendeve, sepse numri i pacientëve që duhet të shkonin është plotësuar. Ndërkohë, vend për pranime ka vetëm Greqia. Kërkesat që janë drejtuar në Ministrinë e Shëndetësisë mbeten të shqyrtohen vitin e ardhshëm, duke plotësuar kuotat që do të jenë për vitin 2009.
Pacientët
Të gjithë pacientëve që e kanë të nevojshëm kurimin jashtë vendit do t’iu duhet të rezistojnë për disa muaj për t’u kuruar jashtë vendit. Kjo ndodh pasi shteti turk pranon një numër të konsiderueshëm pacientësh, të cilët arrijnë deri në 100. Ndërsa spitalet greke pranojnë çdo vit deri në 30 pacientë. Por kërkesat për t’u kuruar jashtë vendit janë më të mëdha sesa mundësitë që ka Ministria e Shëndetësisë për të përballuar fluksin e kërkesave që shkojnë çdo ditë në ministri. Pacientët janë të detyruar që ta zgjidhin në mënyrë individuale çështjen e kurimit në një nga spitalet e huaja. Kjo kategori është e detyruar të marrë përsipër të gjitha shpenzimet e udhëtimit dhe të gjejë vetë spitalin ku do të kurohet. Çdo vit, Ministria e Shëndetësisë turke me palën shqiptare kanë shtuar numrin e pacientëve që do të kurohen në këtë shtet.
Kërkesat
Në Ministrinë e Shëndetësisë ka një numër kërkesash nga pacientët, por të gjitha do të shqyrtohen vitin e ardhshëm. Kështu, ata pacientë do të kurohen në spitalet e vendit deri në një mundësi të dytë që do të jetë jo më larg se viti i ardhshëm. Ministria e Shëndetësisë ka detyrë që t’u krijojë pacientëve të gjitha mundësitë për të shkuar deri në spitalin e caktuar nga shteti pritës, duke kontaktuar vazhdimisht me autoritetet vendase. Një pjesë e pacientëve vendosin të shkojnë me shpenzimet e veta për kurim jashtë vendit. Ndërsa Ministria e Shëndetësisë ndërhyn për t’u mundësuar lehtësimin e vizave. Të gjithë pacientët që rezultojnë me ndonjë nga sëmundjet e përcaktuara në listën e hartuar nga MSH-ja, shteti shqiptar i ndihmon për t’i nisur në njërin nga shtetet pritëse.

Godo inspekton qendrat shëndetësore të Gërdecit, Vorës dhe Manzës

Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, inspekton qendrat shëndetësore të zonës së Gërdecit, të cilat u shkatërruan nga shpërthimi tragjik i municioneve në Gërdec. Godo zhvilloi vizita në qendrat shëndetësore në zonën Vorë, Gërdec, Manzë. Ministrja u shpreh se do të plotësojë të gjitha qendrat me aparatura dhe personel mjekësor të kualifikuar. Njëkohësisht siguroi se nuk do të ketë më mungesë të shërbimit shëndetësor në të trija zonat. Ajo u ndal fillimisht në Bashkinë e Vorës, ku u njoh me shqetësimet dhe problemet e shëndetësisë, veçanërisht pas tragjedisë së Gërdecit. Konkretisht, në Bashkinë e Vorës është kërkuar rikonstruksioni i ambulancës së qytetit që pritet të fillojë së shpejti.

8 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›