E Diel, 1 Nëntor 2026

OSBE: Qeveria duhet tu tregojë ndërkombëtarëve se po zbaton standardet



Prezenca e OSBE-së në Tiranë ka reaguar sërish dje për miratimin e ligjit për hapjen e dosjeve. Zëvendësambasadori Aleks Finen, në një deklaratë zyrtare ka theksuar domosdoshmërinë e konsultimit të këtij ligji me ekspertë ndërkombëtarë. Ai tha se qeveria shqiptare duhet t’u vërtetojë partnerëve ndërkombëtarë se po zbaton standardet e kërkuara. Ndërsa vuri në dukje se ligji duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën. “Ligji i lustracionit, i miratuar nga Kuvendi, duhet të përmbajë kërkesat bazë të shtetit ligjor. Në veçanti duhet të jetë në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe sipas standardeve ndërkombëtare. Në përfundim pritet që qeveria shqiptare të marrë hapa të shpejtë për t’u konsultuar me ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë për të siguruar që ky ligj përputhet me standardet ndërkombëtare dhe kjo do të sigurojë partnerët ndërkombëtare në përmbushjen e standardeve nga Shqipëria. Prezenca e OSBE-së ka ndjekur debatin e zhvilluar në Kuvendin e Shqipërisë gjatë miratimit të ligjit të lustracionit, i cili u miratua në prezencën e pakicës së deputetëve në sallë, me 77 deputetë të pranishëm. Ne gjithashtu kemi mbajtur shënim shqetësimin e shprehur nga përfaqësues të shteteve anëtare të OSBE-së si dhe nga sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës. OSBE-ja mbetet e gatshme për të dhënë asistencën e saj në rast se kjo kërkohet nga qeveria shqiptare”, - është shprehur dje në një deklaratë zëvendës ambasadori i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Aleks Finen.

24 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›