E Diel, 1 Nëntor 2026

Droutsas: Regjistrimi, në ndihmë të minoritetit

Ministri i Jashtëm plotësues i Greqisë

Ministri i Jashtëm “de facto” i Greqisë, përkatësisht Dimitris Droutsas, deklaroi dy ditë më parë në Athinë se “Prezenca e fortë dhe e qëndrueshme ekonomike e Greqisë në Shqipëri së bashku me programet e zhvillimit dhe projektet e infrastrukturës që ne po themelojmë atje, kontribuojnë në krijimin e kushteve të duhura për anëtarët e Minoritetit Kombëtar Grek në Shqipëri që të qëndrojnë në vatrat e tyre dhe për ata që janë larguar që të rikthehen. Ministria e Jashtme greke po zhvillon së bashku me OSBE-në një program për inventarizimin e parë dhe të plotë të pronave në bregdetin jugor të Shqipërisë”. Tirana zyrtare nuk njeh prani të minoriteteve në zonën e bregut të Jonit, çka e bën pranimin e mundshëm të inventarizimit të pronësisë sipas termave që jep ministri grek, një hap të parë të ndryshimit të qëndrimeve të saj. Në njëfarë mënyre, konteksti i brendshëm politik shqiptar e kthen projektin e sipërcituar në një sfidë delikate për qeverinë aktuale, që ka në regjistrin e vet disa akte jo shumë të pranueshme për opinionin e gjerë. Në të njëjtën frymë, ministri i Jashtëm plotësues, Droutsas, nënvizoi para deputetëve grekë se edhe zgjidhja e problemeve të minoritetit duhet projektuar në kontekstin e standardeve europiane, të cilat edhe Shqipëria ka detyrimin t’i zbatojë. Një nga këto është edhe regjistrimi i pritshëm i popullsisë, të cilin Athina zyrtare e pret në funksion të shifrave që do të prodhojë pyetja për origjinën etnike të shtetasve shqiptarë. “...kursi europian i Shqipërisë mbetet i një rëndësie themelore për të ardhmen e marrëdhënieve greko-shqiptare”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›