Ministri çek Schwarzenber: Heqja e vizave, në verën e 2009

Presidenca çeke e BE-së vlerëson përmbushjen e standardeve të sigurisë nga qeveria shqiptare, çka do të sjellë edhe liberalizimin e vizave, me fillimin e presidencës suedeze, gjashtëmujorin e dytë të 2009-s
Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Lulzim Basha priti dje në një takim zyrtar Ministrin e Jashtëm të Republikës Çeke Karel Schwarzenberg, i cili ndodhet në Shqipëri për një vizitë zyrtare me ftesë të homologut shqiptar. Ecuria e marrëdhënieve bilaterale dhe zhvillimi i mëtejshëm i tyre, integrimi i Shqipërisë në BE dhe NATO dhe zhvillimet më të fundit në rajon, ishin çështjet kryesore që ministri Basha trajtoi në takimin me ministrin Schwarzenberg.
Ministri Basha vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve dhe shprehu gatishmërinë për t’i çuar me tej ato, duke nxitur dimensione te reja bashkëpunimi me interes të ndërsjellë. Si shembull të bashkëpunimit të suksesshëm ekonomik, Basha përmendi edhe privatizimin së fundmi të OSSH nga kompania e njohur Çeke CEZ. Ministri Basha vlerësoi kontributin e Çekisë dhe marrjen e Presidencës së radhës së BE-së në mbështetje të aspiratave të shqiptarëve për një integrim sa më të shpejtë në BE dhe NATO. Basha e informoi homologun për hapat që ka marrë dhe po ndërmerr qeveria shqiptare në drejtim të plotësimit të të gjitha kushteve që do të sjellin procesin e liberalizimit të vizave mes BE-së dhe Shqipërisë.
Ndërsa ministri i Jashtëm çek, Schwarzenberg tha se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është një prioritet i padiskutueshëm i Presidencës Çeke. Ai u shpreh se Çekia do të mbështesë fuqishëm procesin e liberalizimit të vizave mes BE-së dhe Shqipërisë. “Motoja jonë, është për një Evropë pa barriera”, tha Schwarzenberg. Ministri çek premtoi se mbështetja do të jetë e pakursyer pavarësisht sfidave që ka sot Bashkimi Europian. “Procesi i integrimit nuk është as i plotë dhe as i ndershëm pa Shqipërinë”, u shpreh Schwarzenberg. Presidenca çeke e BE-së vlerëson përmbushjen e standardeve të sigurisë nga qeveria shqiptare, çka do të sjellë edhe liberalizimin e vizave, me fillimin e presidencës suedeze, gjashtëmujorin e dytë të 2009-s”, u tha në përfundim të takimit të djeshëm me ministrin e jashtëm shqiptar Lulzim Basha.
...