Konsensusi, PS e ka hedhur hapin
Partia Socialiste reagoi dje pas deklaratës së drejtorit të Përgjithshëm për Zgjerimin, Pierre Mirel. Përmes deputetes Vasilika Hysi, PS vuri në dukje se kjo parti e ka dhënë tashmë rrugën e zgjidhjes dhe hapin përfundimtar duhet ta hedhë Partia Demokratike. “Partia Socialiste, si një parti e përgjegjshme dhe e gatshme të zgjidhë krizën politike me mjete demokratike, mes institucioneve të tilla si Parlamenti dhe në përputhje me standardet e përcaktuara nga Kushtetuta, hyri në Parlament dhe u angazhua seriozisht në Komisionin e Ligjeve”, tha ajo.
Hysi bëri me dije se Partia Socialiste hyri në Parlament jo për të bërë një formalitet, por ofroi mbështetje të fuqishme për Rezolutën e Kuvendit, lidhur me liberalizimin e vizave dhe u angazhua seriozisht, profesionalisht dhe me nisma konkrete për ta zgjidhur këtë krizë dhe çdo krizë të mundshme në të ardhmen, për shkak të mosrespektimit të standardeve të zgjedhjeve.
Partia Socialiste i kërkon mazhorancës dhe Parlamentit shqiptar që konsensusin e dhënë nga opozita dhe futjen e saj në Parlament ta vlerësojnë si shprehje të pjekurisë dhe gatishmërisë së saj për zgjidhjen e krizës politike dhe jo si pasojë e presionit të bërë nga ndërkombëtarët”, deklaroi Hysi.