E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizat, komisioni premton raportin, por jo përmbajtjen

Në korrik Mirel: Do të presim konkluzionin e raportit të grupit të ekspertëve

Komisioni Europian ka frenuar entuziazmin e Tiranës zyrtare për çështjen e liberalizimit të vizave. Pierre Mirel, drejtori për Ballkanin Perëndimor, ka garantuar dje nga Tirana se në mesin e këtij viti do të hartohet propozimi për këtë çështje, por se çfarë do të përmbajë ky propozim, ai nuk e ka thënë, megjithëse ministrja Majlinda Bregu ka deklaruar se ka një lajm të mirë. Në konferencën e shtypit të mbajtur pas takimit të Komitetit të Stabilizim-Asocimit, Mirel theksoi se “ne jemi në pritje të raporteve që do të na sjellin ekspertët që vizituan Shqipërinë javët e fundit. Konkluzionet e këtyre ekspertëve ne do t’i ndajmë e do t’ua çojmë dhe kolegëve tanë në Shqipëri, kjo është praktika jonë e përhershme, në mënyrë që të mos kemi keqkuptime, pastaj do të përgatisim vlerësimin tonë, që do të bazohet në standardet e kërkuara, reformën ligjore që do të jetë bërë deri atëherë dhe në konkluzionet e ekspertëve. Vlerësimin që do të bëjmë ne, do ta ndajmë dhe me shtete anëtare në Bruksel, dhe KE do ta dërgojë në këshill propozimin e vet dhe pastaj do të mbetet në dorën e këshillit dhe shteteve anëtare për të vendosur. Edhe dy komente të tjera: kjo qasje dhe metodologji që po përdoret për Shqipërinë, është përdorur edhe në shtetet e tjera. Së dyti, do të thosha që ne jemi angazhuar dhe do ta japim propozimin tonë deri në mesin e vitit 2010 e do t’i përmbahemi kësaj fjale”. Ndërkaq, ministrja shqiptare e Integrimit, Majlinda Bregu, deklaroi se “një lajm të mirë të cilin unë do të doja ta jepte zoti Mirel, të cilin unë vetëm do ta përmend: Liberalizimi i vizave, që është një nga çështjet kryesore të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, është si asnjëherë më parë pranë realizimit të tij. Gjithsesi, komentet për progresin e arritur në këtë fushë do t’ia lë zotit Mirel që t’jua bëjë me dije”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›