E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konsensusi për Prokurorinë, i turpshëm

Autori i Lajmit: Suela Topi
Projektligji për Prokurorinë është këmbim i turpshëm për Kodin Zgjedhor. Ky ka qenë komenti i kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta pas konsensusit që socialistët dhanë dje në Komisionin e Ligjeve për draftin për organin e akuzës. Sipas tij miratimi i këtij ligji është në dëm të drejtësisë dhe e kthen Prokurorinë e Përgjithshme në seksion të Qeverisë. Kreu i LSI-së i kërkoi kryetarit socialist, Edi Rama që të mos shantazhohet nga Kryeministri duke i falur këtij të fundit Prokurorinë. Ai siguroi më tej se Rama nuk duhet të ketë frikë për një bashkim të mundshëm të votave të LSI-së me Berishën për të përfituar përfaqësimin në administratën gjyqësore duke siguruar se partia e tij nuk do ta bënte kurrë një gjë të tillë, për shkak të integritetit të saj të lartë moral dhe njëkohësisht për shkak të asaj që ka kërkuar që në fillim, që Kodi të ketë një gjithpërfshirje dhe konsensus maksimal.
Reagimi
“Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim duam të distancohemi nga procedurat e turpshme, që kanë nisur në mënyrë të beftë në Parlament për miratimin e ligjit “Për Prokurorinë”. Sot u zhvillua një mbledhje e lajmëruar me urgjencë për të diskutuar një projektligj shumë të rëndësishëm, shumë të debatueshëm prej kohësh, siç është ai për Prokurorinë”, - tha dje Meta. Ai kujtoi deklaratën e kryetarit të Partisë Socialiste, një ditë pas miratimit të Kodit Zgjedhor në Parlament, ku u shpreh qartë se reformat në drejtësi nuk do t i bëjmë më me Berishën, se ai nuk synon pavarësinë e drejtësië, po se do t i bënte kur të vinte e majta në pushtet pas zgjedhjeve. “Me të drejtë të gjithë sot mund të pyesim se çfarë ka ndodhur që Partia Socialiste është bërë palë me Berishën në përpjekjen e tij finale, përmes këtij ligji për të kontrolluar dhe uzurpuar edhe Prokurorinë e Përgjithshme? Për Lëvizjen Socialiste për Integrim, përgjigjia është e qartë: Projektligji i Berishës për Prokurorinë i kontestuar nga vetë Prokuroria dhe Shoqata e Prokurorëve nuk është gjë tjetër, por një këmbim i turpshëm për miratimin nga ana e Berishës të Kodit Zgjedhor, pa përmirësuar standartet e administrimit”, - tha kreu i LSI-së. Me këtë rast ai i bëri thirrje Ramës që mos bier pre e shantazhit të Berishës. “Në rast se ndjehesh i shantazhuar nga Sali Berisha me kërcënimin, se ai ditën e hënë mund të bashkojë votat me LSI-në, në mënyrë që ti japë LSI-së përfaqësimin në administrimin e zgjedhjeve, duhet të jesh i bindur se Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do ta bënte kurrë një gjë të tillë, për shkak të integritetit të saj të lartë moral dhe njëkohësisht për shkak të asaj që ka kërkuar që në fillim, që Kodi të ketë një gjithpërfshirje dhe konsensus maksimal”, - theksoi kreu i LSI-së. Ai pohoi se Lëvizja Socialiste për Integrim shpreh bindjen e plotë se miratimi i këtij projektligji me këto qëllime të errëta, të Kryeministrit Berisha dhe këtë ndryshim të pandershëm të lidershipit të Partisë Socialiste do t i sillte një dëm të jashtëzakonshëm shtetit shqiptar dhe drejtësisë shqiptare. Të gjitha ndryshimet e bëra sipas Metës, e kthejnë prokurorinë në një seksion të Qeverisë dhe akoma më keq, në një seksion politik të Partisë Demokratike. “Për të gjitha këto arsye, ne si Lëvizje Socialiste për Integrim i bëjmë apelin e fundit lidershipit të Partisë Socialiste, të heqë dorë nga ky këmbim dhe nga ky pazar i turpshëm në prag të Vitit të Ri. Berisha të mos i trembë, se do t i bashkojë votat me ne, se nuk i bashkojmë votat me Sali Berishën as për një gjë që na takon, sepse e kemi thënë dhe po e përsërisim: ne nuk e njohim pjesën e administrimit të Kodit kështu siç është, sepse është jashtë standardeve të OSBE-së dhe të ODIHR-it”, - tha ai.
Ky lajm është publikuar: 27/12/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›