E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohen të papunët, shqiptarët më të varfër

Autori i Lajmit: red.
Viti 2008 duket se i ka lënë shqiptarët të papunë dhe më të varfër. Shumica e punëkërkuesve ende nuk kanë gjetur një të tillë dhe rrugëzgjidhja e vetme në këtë rast ka qenë emigrimi. Këtë vit numri i atyre që nuk kanë një punë ka shkuar deri në 13162, një shifër e lartë kjo kur bëhet fjalë vetëm për Tiranën. Në Drejorinë Rajonale të Punësimit në Tiranë shifrat bëhen edhe më reale. Ndryshe nga viti 2007 kur regjistroheshin vetëm 12747 të papunë këtë vit shifrat janë rritur, duke shkuar afërsisht në 14000, një e dhënë negative kjo, çka do të thotë se shifrat po vijnë në rritje. Statistikat tregojnë se ato që interesohen më shumë për një vend pune janë femrat. Numri i atyre që janë regjistruar këtë vit ka qënë 7898, ndërsa numri i meshkujve ka qenë më i vogël 4320. Për punëkërkuesit zyra e punës mbetet një shpresë dhe në të trokasin ata që shpresojnë se të nesërmen do të kenë një punë. Grupmoshat që interesohen më tepër janë të moshës 35 e lart, numri i tyre është 5852, por në një numër të konsiderueshëm janë edhe ata të grupmoshave të tjera duke filluar që nga mosha 16 vjeç. Megjithësë vitet e fundit po i kushtohet një vëmendje e madhe arsimit të lartë, sërish ka një numër të madh punëkërkuesish që kanë vetëm arsimin e detyrueshëm 8-vjeçar dhe të tillë janë 6823, ndërsa me arsim të mesëm janë 3052. Numri më i pakët që i drejtohet zyrave të punësimit janë ata me shkollë të lartë. Për vitin 2008 numri i atyre që kanë një diplomë dhe shpresojnë për sigurimin e ndonje pune me anë të ndërmjetësimit të zyrave të punësimit ka qënë 1149. Përgjegjësja e sektorit të statistikave, Eleonora Domi shprehet se këto janë vetëm shifrat e punëkërkuesve të papunë që e kanë bërë një regjistrim në Drejtorinë Rajonale të Punësimit, por numri mund të jetë edhe më i madh, pasi shumica nuk janë të regjistruar. Pra, shifra reale nuk dihet, pasi një numër i konsiderueshëm punojnë në të zezë.

Ja shifrat

Katër kategoritë e të papunëve

Grupi i të papunëve i përket katër kategorive që janë: të papunë që përfitojnë pagesë papunësie 1368 persona të regjistruar, të papunë që përfitojnë nga skema të tjera, të papunë që përfitojnë ndihmë ekonomike dhe këtu shënohet një numër prej 7362 personash. Një kategori tjetër është dhe ajo që trokasin për herë të parë në zyrat e punësimit ndërsa punëkërkuesit afatgjatë janë më të shumtë në numër afërsisht 6848. Ndryshe nga viti 2007 këtë vit në Zyrën e Punësimit janë regjistruar kategori të veçanta njerëzish dhe me një numër më të madh se vitin e kaluar. Vihet re një interesim i popullsisë rome për punë, numri i të regjistruarve është 1138, një kategori tjetër është dhe ajo e personave me aftësi të kufizuar dhe numri i tyre ka qenë 62. Punët që ofron zyra e punësimit janë në bazë të aftësive të punëkërkuesve, të cilët më parë duhet që të bëjnë një kërkesë, të hapin një kartelë me të dhënat se çfarë aftësish kanë dhe çfarë janë të aftë të bëjnë. Ata që janë të arsimuar dhe kanë një diplomë të shkollës së lartë ose kanë kualifikime të llojeve të ndryshme duhet t i dorëzojnë bashkë më kërkësën për punë.

Programet

Për meshkujt ofrohen punë në ndërtim

Punët që ofrohen për meshkujt janë më tepër në ndërtim ndërsa për gratë ofrohen punë në industrinë përpunuese. Për të rinjtë ofrohen kurse trajnimi dhe programe nxitëse për punësim. Të dhënat nga zyrat e punës tregojnë se vetëm 2381 nga kërkesat e të papunëve janë plotësuar për vitin 2008, ndërsa të papunë vazhdojnë të jenë rreth 12000 mijë persona dhe kjo shifër vetëm përsa i përket qytetit të Tiranës. Kështu ky vit do ti lërë shqiptarët me një numër të madh të papunësh dhe më shumë të varfër. Ndihma ekonomike që i jepet shumë familjeve nuk i plotëson as nevojat më minimale. Por ajo që vihet re është se të papunë në numër të madh nuk janë vetëm të paarsimuarit , por gjithashtu edhe të arsimuarit. Diploma e një shkolle të lartë shpesh herë nuk është mjeti me anë të cilës mund të sigurosh një punë. Me mijëra të rinjve iu duhet të qëndrojnë në pritje ndoshta edhe për shumë vjet.

Ky lajm është publikuar: 27/12/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›