Konstituohet këshilli, PS: Do kërkojmë transparencë
SHKODËR Konstituimi i këshillit të Bashkisë së Shkodrës ka sjellë në këtë mbledhje edhe ministrin e Brendshëm Bujar Nishani, i cili ka ndjekur procedurat e përzgjedhjes dhe konstituimit të këtij këshilli të bashkisë më të madhe të qarkut të Shkodrës. Përveç vlefshmërisë së mandateve, të zgjedhjeve të 8 Majit, kanë qenë edhe kryetarët e grupeve të këshilltarëve të partive politike të cilët kanë folur para pjesëmarrësve, duke premtuar për përgjegjshmëri në këtë mandat 4-vjeçar. Kreu i grupit të këshilltarëve të partisë socialiste në këshillin e Bashkisë së Shkodrës, Genc Uruçi, ka deklaruar se gjatë këtij mandati këshilltaret e opozitës do të synojnë që ky këshill të jetë më transparent dhe përtej të qenit përfaqësues të partive politike duhet që të gjithë të jenë përfaqësues dhe në shërbim të qytetarëve të Shkodrës. Gjatë verifikimit të mandateve, u pa se tre këshilltarë kanë dhënë dorëheqjen, duke u zëvendësuar me emrat pasardhës të listave të subjekteve politike. Për postin e kryetarit të këtij këshilli është paraqitur vetëm një kandidaturë, ajo e Bardhyl Lohjes, i PD-së, i cili ka qenë kryetar dhe në mandatin e përfunduar 2007-2011. Ndërsa për nënkryetar është propozuar të jenë dy të tillë, ndryshe nga herët e tjera, dhe emrat janë Nesti Kiri i PD-së dhe Keti Bazhdari e PS-së. Këshilli i Bashkisë Shkodër ka 45 anëtarë, nga të cilët 30 i përkasin Aleancës për Qytetarin, 13 janë të Aleancës për të Ardhmen dhe 2 janë të PBDNJ dhe PMDL.